Вие сте овде:

KOMUNIKATË

     Me rastin e Aktvendimit të miratuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë me numër 09-1071/2, më 08.02.2019, për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar të Republikës së Maqedonisë dhe të Aktvendimit të miratuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë me numër 09-1072/2 më 08.02.2019 për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të komunës së Ohrit, kryetar të komunës së Novo Sellës dhe kryetar të komunës së Dibrës,    

     Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit i informon ministritë, njësitë e vetëqeverisjes lokale, fondet, agjencitë, drejtoritë, ndërmarrjet publike, organet rregullatore, shoqëritë tregtare të themeluara nga shteti dhe institucionet e tjera shtetërore, si dhe publikun, për sa më poshtë: 

   1. Nga dita e miratimit të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve deri në përfundimin e zgjedhjes së kryetarit të Republikës së Maqedonisë, si dhe nga data e miratimit të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar/ë të komunës/ave e deri në përfundimin e zgjedhjeve për kryetar/ë të komunës/ave: 

   - nuk mund të fillojë ndërtimi me mjete nga buxheti ose nga fondet publike ose me mjete të ndërmarrjeve publike dhe personave të tjerë juridikë që disponojnë me kapital shtetëror, i objekteve të reja në infrastrukturë si për shembull rrugë, ujësjellës, largpërçues, kanalizim, terrene sportive dhe objekte të tjera ose objekte për veprimtari shoqërore, shkolla, çerdhe dhe objekte të tjera, përveç nëse për këtë qëllim janë siguruar paraprakisht mjete nga buxheti, gjegjësisht nëse bëhet fjalë për realizimin e programit të miratuar në bazë të ligjit në vitin aktual; 

  - nuk mund të bëhen pagesa të rrogave, pensioneve, ndihmës sociale ose pagesa të tjera dhe kompensime materiale nga mjetet buxhetore apo nga mjetet e fondeve publike që nuk janë pagesa të rregullta mujore, gjegjësisht të gjitha transferimet njëvjeçare dhe pagesat ose transferimet e njëhershme nga mjetet buxhetore ose nga mjetet e fondeve publike, as të tjetërsohet kapitali shtetëror e as të nënshkruhen marrëveshje kolektive; 

 - nuk mund të fillohet procedurë për punësimin e personave të rinj ose procedurë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në institucionet shtetërore dhe publike, ndërsa procedurat e filluara vendosen në pritje, përveç në rast të punëve urgjente dhe që nuk mund të shtyhen. 

  2. Në periudhën prej 20 ditësh para fillimit të fushatës zgjedhore deri në përfundimin e zgjedhjes së kryetarit të Republikës së Maqedonisë dhe deri në përfundimin e zgjedhjeve për zgjedhje të kryetarit të komunës: 

  - nuk mund të mbahen ngjarje publike me rastin e fillimit të ndërtimit ose lëshimit në përdorim të objekteve me mjete nga buxheti ose nga fondet publike, ose me mjete të ndërmarrjeve publike ose të personave të tjerë juridikë që disponojnë me kapital shtetëror, në infrastrukturë si për shembull rrugë, ujësjellës, largpërçues, kanalizim, terrene sportive dhe objekte të tjera ose objekte për veprimtari shoqërore, shkolla, çerdhe dhe objekte të tjera. Me ndalesën për mbajtjen e ngjarjeve publike nuk nënkuptohet, në veçanti: dhënia e deklaratave publike nga bartësi i funksionit publik ose kandidati për bartës të funksionit publik në tubim, intervista për media, debat në media apo përgjigja në pyetje të gazetarëve. 

    3. Për nevojat e fushatës zgjedhore, është e ndaluar të përdoren hapësirat e zyrave, pajisjet e zyrës dhe veturat zyrtare të organeve shtetërore, me përjashtim të personave për të cilët vlejnë dispozitat e veçanta për mbrojtjen e personit. 

   Është i ndaluar ushtrimi dhe tentimi për të ushtruar presion dhe frikësim të votuesve ose anëtarëve të familjeve të tyre ose të njerëzve të afërt me ta.

       Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do ta ndjekë gjithë procesin zgjedhor dhe në rastet e dyshimeve të bazuara se shkelet ligji, do të marrë masa për të vërtetimin e dyshimeve të tilla, do t’i njoftojë organet kompetente dhe do të kërkojë ndërmarrjen e aktiviteteve në kuadër të veprimeve të tyre kompetente. 

      Mosrespektimi i ndalesave të përcaktuara në nenet 34 dhe 35 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe të Konfliktit të Interesit dhe në nenin 8-a dhe 8-b të Kodit Zgjedhor, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do t’i konsiderojë si përgjegjësi e personave përgjegjës të organeve shtetërore dhe të subjekteve të tjera, ndërsa në rast të shkeljeve dhe të keqpërdorimeve të vërtetuara, do të ndërmarrë aktivitete dhe masa adekuate në përputhje me ligjin.

     Në periudhën e ardhshme të zbatimit të aktiviteteve në lidhje me zgjedhjet e shpallura për kryetar të Republikës së Maqedonisë, si dhe me zgjedhjet e shpallura të parakohshme për kryetar të komunës së Ohrit, kryetar të komunës së Novo Sellës dhe kryetar të komunës së Dibrës, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në përputhje me dispozitat e Ligjit të ri për Parandalimin e Korrupsionit dhe të Konfliktit të Interesit nuk ka bazë ligjore për të dhënë mendime në lidhje me kërkesat e parashtruara për mendime që kanë të bëjnë me mënyrën e veprimit të ministrive, njësive të vetëqeverisjes lokale, fondeve, agjencive, drejtorive, ndërmarrjeve publike, organeve rregullatore, shoqërive tregtare të themeluara nga shteti dhe institucioneve të tjera të themeluara nga shteti gjatë procesit zgjedhor. 

Komisioni shtetëror në funksion të ndjekjes dhe kontrollit të ligjshmërisë së financimit të fushatës zgjedhore dhe procesit të gjithëmbarshëm zgjedhor do të vendosë bashkëpunim të drejtpërdrejtë me mediat, shoqatat qytetare dhe me qytetarët, dhe për këtë qëllim e inkurajon gjithë publikun që në kohë t’i denoncojë rastet konkrete të shkeljes së ndalesave të përcaktuara në Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit dhe në Kodin Zgjedhor.