Pyetje dhe përgjigje lidhur me lobimin

Pyetje dhe përgjigje lidhur me lobimin

1.Çfarë është lobimi?
Lobimi është çdo aktivitet i kryer për të ndikuar në politikat dhe vendimet e një qeverie ose institucioni në favor të një kauze ose rezultati specifik.

Termi i referohet përpjekjeve për të ndikuar mbi zyrtarët e zgjedhur, përgjithësisht në hapësirën jashtë asamblesë së parlamentit.
Lobimi në njëfarë forme është i pashmangshëm në çdo sistem politik.

2.Pse ka nevojë për ta rregulluar lobimin?
Kur lobimi është jo transparent dhe i parregulluar, mund të çojë për shembull në ndikim të padrejtë dhe konkurrencë të pandershme.

Kur rregullohet në një mënyrë transparence, lobimi është një mundësi legjitime për individët dhe grupet private të interesit për t’u përfshirë në proceset vendimmarrëse.

3. Kush mund të jetë lobist?
Kushdo që dëshiron të bëjë një ndryshim në shoqëri mund të jetë lobist, duke u regjistruar si lobist.

4. A duhet të regjistrohem për të lobuar?
Po, lobistët dhe organizatat lobuese duhet të regjistrohen në regjistrin e posaçëm për lobim të menaxhuar nga KSHPK.

5. A mund të lobojnë të huajt në Maqedoninë e Veriut?
Po, personat juridikë dhe fizikë të huaj mund të lobojnë, me kusht që të jenë të regjistruar si organizatë lobuese ose lobist.

6. A mund të lobojnë ish-zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar?
Po, ata mund të lobojnë pas tre vjetë nga dita e përfundimit të mandatit të tyre.

7. Cilat institucione e rregullojnë lobimin në Maqedoninë e Veriut?
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit e rregullon lobimin në Maqedoninë e Veriut.

8. A duhet të raportojnë lobistët për punën e tyre?
Lobistët dhe organizatat lobuese janë të detyruara të paraqesin raport me shkrim për aktivitetet e tyre.

9. A mund të japin dhurata lobistët?
Lobistët dhe organizatat lobuese nuk mund të marrin, japin, premtojnë donacione, dhurata, shërbime, ndikim ose përfitime dhe avantazhe të tjera.

10. Cilat janë dënimet për mosrespektimin e dispozitave ligjore për lobim?
Lobistët si dhe zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar i nënshtrohen gjobave. Shuma e gjobës është mes 200 – 1000 Euro në kundërvlerë në denarë.