Pjesëmarrje në Konferencën e 24-të Vjetore dhe Asamblenë e Përgjithshme të EPAC/EACN
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit mori pjesë në Konferencën Vjetore të 24-të dhe Asamblenë e Përgjithshme të Partnerëve Evropianë Kundër Korrupsionit (EPAC) dhe të Rrjetit Evropian të Pikave të Kontaktit Kundër Korrupsionit (EACN), të cilat u mbajtën më 24-25 nëntor 2025 në Hagë, Holandë.
Delegacioni i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në këtë ngjarje të madhe përfaqësohej nga nënkryetarja m.r Cveta Ristovska dhe anëtarët e KSHPK-së, Zoran Bogoevski dhe Besnik Xhemaili.
Në ngjarjen e mbajtur në Hagë morën pjesë mbi 150 pjesëmarrës që përfaqësonin 80 institucione nga më shumë se 30 vende. Prezantime mbajtën përfaqësues të Komisionit Evropian, Këshillit të Evropës, Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, Europol-it, Eurojust-it, OLAF-it, si dhe agjenci kundërkorrupsioni dhe organe mbikëqyrëse të policisë nga vende të ndryshme evropiane.
Konferenca ishte kryesisht e fokusuar në forcimin e bashkëpunimit midis institucioneve kundërkorrupsion dhe organeve mbikëqyrëse të policisë, shkëmbimin e përvojave praktike dhe përballimin e sfidave aktuale në promovimin e integritetit dhe transparencës. Diskutimet përfshinë tema kyçe si matja dhe parandalimi i korrupsionit, transparenca në prokurimet publike, inovacionet në praktikat kundërkorrupsion, edukimi dhe ngritja e vetëdijes, si dhe ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme në kontekste post-konflikti dhe tranzicioni.
Gjatë ngjarjes u miratua Deklarata e Hagës, me të cilën bëhet thirrje për një pavarësi më të fortë institucionale, bashkëpunim të forcuar dhe përpjekje të rinovuara për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Evropë.
Këtë vit konferenca u organizua në bashkëpunim me Eurojust-in.











