Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit

Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit – Komponenti 3 për përmirësimin e parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit

Qëllimi kryesor i komponentit të këtij projekti 5 vjeçar IPA 2020 (janar 2021 – janar 2026) është të ofrojë mbështetje strategjike dhe metodologjike për Komisionin për parandalimin e korrupsionit dhe të kontribuojë në pavarësinë, efektivitetin dhe efikasitetin e mandatit dhe operacioneve të tij.

Komisionit do t’i ofrohet mbështetje në zbatimin e rregulloreve në lidhje me lobimin dhe kufizimin e dhuratave. Që nga miratimi i Ligjit të ri për lobim në qershor 2021, projekti do të mbështesë KSHPK-në në zhvillimin dhe zbatimin e akteve nënligjore, aktivitetet për ndërgjegjësimin, si dhe krijimin e një regjistri elektronik të lobistëve. Disa nga këto aktivitete nuk kufizohen vetëm në KSHPK, por përfshijnë gjithashtu lobistë dhe organe publike të lobuara.

Një aktivitet tjetër i projektit ka për qëllim përmirësimin e kontrollit dhe verifikimit të deklaratave të pasurisë të dorëzuara nga zyrtarë publikë të zgjedhur dhe të emëruar, përfshirë edhe deputetët e parlamentit. Ky aktivitet do të mbështesë digjitalizimin e këtij procesi dhe do të ofrojë trajnime në vendin e punës, me qëllim të zhvillimit dhe modernizimit të mëtutjeshëm të metodave dhe proceseve në KSHPK.

Gjithashtu, projekti do të bashkëpunojë me KSHPK-në dhe institucionet tjera relevante për përmirësimin e transparencës së financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore. Një nga aktivitetet e planifikuara në këtë fushë është përgatitja e një ueb platforme për paraqitjen dhe publikimin e të gjitha raporteve të kërkuara, e cila do të mundësojë procese të unifikuara të punës dhe shabllone për raportet financiare dhe regjistrimin dhe dorëzimin e raporteve të thjeshtuara, dhe rrjedhimisht përmirësimin e transparencës së raportimit. Kjo do të sigurojë një bazë të dhënash dhe informacione solide për KSHPK-në për të përmbushur kompetencat e saj në monitorimin, trajtimin e ankesave dhe sanksionet dhe përfundimisht parandalimin e korrupsionit në politikë.

Duke pranuar se ndërveprueshmëria dhe mbështetja moderne e TIK-ut janë thelbësore për zbatimin e të gjitha aktiviteteve të planifikuara dhe arritjen e rezultateve të pritura, projekti ka hulumtuar dhe kërkuar zbatimin e një mjeti analitik të të dhënave. Më konkretisht, një sistem gjurmues elektronik, i ngjashëm me atë slloven Erar, i cili është një vegël online për vënien në dispozicion për publikun të dhëna të fluksit monetar të subjekteve të sektorit publik. Ky sistem do të mbështesë shumë nga mandatet dhe detyrat e KSHPK-së, si parandalimi i korrupsionit në prokurimet publike, por edhe monitorimi dhe kontrolli i lobimit dhe konfliktit të interesave.

Si pjesë e mbështetjes për zhvillimin profesional të punësuarve që punojnë në institucione të ndryshme shtetërore dhe të pavarura në tema që lidhen me antikorrupsionin, projekti është duke sponsorizuar një program master në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e integritetit në Akademinë ndërkombëtare kundër korrupsionit (IACA) në Laksenburg të Austrisë. Në total, projekti do të sponsorizojë 12 studentë të punësuar në institucione të përzgjedhura në sektorin publik.