Pyetje dhe përgjigje lidhur me lobimin

Pyetje dhe përgjigje lidhur me lobimin

1. Çfarë është lobimi?

Lobimi është një aktivitet i synuar drejt arritjes së ndikimit në proceset e përgatitjes, miratimit dhe ndryshimit të politikave publike, programeve që miratohen nga organet tek të cilat lobohet, ligjeve, akteve nënligjore ose akteve të tjera të përgjithshme.

Sipas Ligjit për lobimin, lobimi nënkupton kontakt me personin te i cili lobohet, me qëllim ndikimin konkret të synuar mbi procesin, përkatësisht mbi përmbajtjen e akteve të përmendura më parë. Ky kontakt realizohet jashtë procedurës së përcaktuar dhe të filluar, përkatësisht procedurës sipas së cilës nuk paraqet qëndrim apo mendim të shprehur publikisht, si dhe nuk përbën pjesëmarrje me ftesë apo kërkesë të organit te i cili lobohet në punën për përgatitjen, shqyrtimin, përkatësisht dhënien e informacioneve, të dhënave ose mendimeve profesionale për iniciativat dhe zgjidhjet e propozuara për ato  politika publike, programe, ligje, rregullore  tjera dhe akte të përgjithshme.

 

2. Pse ka nevojë për rregullimin e lobimit?

Lobimi i rregulluar garanton që këto aktivitete të realizohen në mënyrë transparente dhe etike, si dhe në pajtim me interesin publik.

Lobimi i parregulluar mund të sjellë rreziqe, siç janë ndikimi i fshehur, korrupsioni dhe qasja e pabarabartë te krijuesit e politikave.

Lobimi transparent dhe i rregulluar paraqet një mënyrë legjitime përmes së cilës individët, kompanitë dhe organizatat mund të japin kontributin e tyre përmes ekspertizës dhe të marrin pjesë me përgjegjësi në zhvillimin e politikave publike.

 

3. Kush mund të jetë lobist?

Çdo person fizik që ka aftësi për të vepruar, ose person juridik i regjistruar në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nëse i përmbush kushtet e përcaktuara me Ligjin për lobim.

Personat fizikë duhet të regjistrohen si lobistë, ndërsa subjektet juridike duhet të regjistrohen si organizata lobimi para se të përfshihen në aktivitete të lobimit.

Personat fizikë dhe juridikë të huaj gjithashtu mund të lobojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëse janë të regjistruar si lobistë ose si organizata lobimi në Regjistrin e lobistëve që e mban Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).

 

4. A duhet të regjistrohem për të lobuar?

Po. Personat fizikë dhe organizatat që dëshirojnë të lobojnë duhet të regjistrohen duke u regjistruar në Regjistrin e lobistëve dhe organizatave të lobimit që e mban KSHPK

 

5. A mund të lobojnë shtetasit e huaj ose organizatat e lobimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut?

Po. Personat juridikë dhe fizikë të huaj mund të lobojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut nëse janë të regjistruar si lobistë ose organizata lobimi në Regjistrin e lobistëve që e mban KSHPK.

 

6. A mund të lobojnë ish-zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar?

Po, por vetëm pas kalimit të tre (3) viteve nga dita e përfundimit të mandatit të tyre.

Ky kufizim parandalon konfliktin e interesit dhe keqpërdorimin e informacioneve konfidenciale dhe të privilegjuara të marra gjatë mandatit të tyre.

 

7. Cili institucion e rregullon lobimin në Republikën e Maqedonisë së Veriut?

KSHPK kryen mbikëqyrje mbi zbatimin e Ligjit për lobim dhe për të njëjtën  informon në kuadër të raportit të saj vjetor të punës.

KSHPK mban Regjistrin e lobistëve dhe organizatave të lobimit, e kontrollon plotësinë e paraqitjeve të pranuara për regjistrim në të njëjtinë Regjistër dhe merr vendim për regjistrimin e lobistit, përkatësisht organizatës së lobimit në Regjistër, ose merr vendim me të cilin do ta refuzojë kërkesën për regjistrim nëse e njëjta nuk kompletohet dhe korrigjohet në përputhje me Ligjin për lobim. Për kundërvajtjet e përcaktuara me këtë ligj, procedurë kundërvajtëse mban dhe sanksione kundërvajtëse shqipton Komisioni për Kundërvajtje në kuadër të KSHPK-së.

 

8. A duhet që lobistët të raportojnë për aktivitetet e tyre?

Po. Lobistët e regjistruar dhe organizatat e lobimit janë të detyruar që të dorëzojnë në KSHPK raport me shkrim për aktivitetin e tyre, edhe atë më së voni deri më 31 janar të vitit aktual për vitin paraprak dhe më së voni 30 ditë nga dita e fshirjes nga Regjistri. Në raport duhet të përfshihen të dhëna për identitetin e lobistit, përkatësisht organizatës së lobimit, të dhëna për identitetin e porositësit të lobimit, të dhëna për organet pranë të cilave është lobuar, si dhe të dhëna për shumën e pagesave për secilën punë të marrë nga porositësi në emër të të cilit është lobuar.

Ky detyrim për raportim garanton transparencë dhe mbikëqyrje publike mbi lobimin.

 

9. A u lejohet lobistëve të japin dhurata?

Jo. Lobistëve dhe organizatave të lobimit u ndalohet rreptësishtë të japin, pranojnë ose ofrojnë dhurata, donacione, shërbime, ndikim ose përfitime dhe avantazhe të tjera për vete ose për të tjerët, të lidhura me aktivitetet e lobimit.

Kjo ndalesë mbron integritetin e procesit dhe parandalon ndikimin e pajustifikuar.

 

10. Cilat janë dënimet për mosrespektimin e Ligjit për lobim?

Si lobistët, organizatat e lobimit, si dhe personat e zgjedhur dhe të emëruar mund të përballen me sanksione për shkelje të Ligjit për lobim.

Dënimet variojnë nga 200 (dyqind) deri në 1000 (një mijë) euro në kundërvlerë me denarë, varësisht nga natyra dhe serioziteti i kundërvajtjes.

Kundërvajtjet që i nënshtrohen sanksioneve përfshijnë lobimin e paregjistruar, mosdorëzimin e raporteve të nevojshme, pranimin e përfitimeve të ndaluara, mos përcaktimin e procedurave dhe mosdorëzimin e akteve të brendshme në KSHPK nga ana e organeve ku mund të lobohet, dhe të ngjashme.