NJOFTIM
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, pas mbarimit të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe anëtarë të këshillave të komunave dhe të qytetit të Shkupit, i rikujton kryetarët e zgjedhur, gjegjësishtë anëtarët e këshillave, që të respektojnë parimet, obligimet dhe ndalesat e përcaktuara në Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të interesave, si më poshtë:
1. Respektimin e parimit të integritetit, gjegjësisht detyrimi gjatë ushtrimit të funksionit të kenë kujdes në rast të konfliktit të interesit, ndërsa gjatë kryerjes së autorizimeve dhe detyrave publike nuk duhet të ndikohen nga interesat personale, familjare, fetare, partiake dhe interesat etnike, as nga presionet dhe premtimet e udhëheqësit ose të ndonjë personi tjetër (neni 4);
2. Respektimin e rregullave për papajtueshmërinë e funksionit që kryejnë me funksione ose veprimtari të tjera të përcaktuara në Kushtetutë dhe ligje.
Funksioni Kryetar i Republikës, Kryeministër i Republikës së Maqedonisë, ministër, deputet, anëtar të këshillit, kryetar i komunës, gjykatës, prokuror publik, avokat publik, avokat i popullit dhe funksione të tjera të cilën i zgjedh ose i emëron Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë ose organet e vetëqeverisjes lokale janë të papajtueshme njëra me tjetrën (neni 44 paragrafi 1).
Personit zyrtar të punësuar në administratën lokale, nëse zgjidhet anëtar i këshillit të komunës, gjegjësisht qytetit të Shkupit, marrëdhënia e punës i pezullohet në pajtim me ligjin, me ditën e verifikimit të mandatit të anëtarit të këshillit (neni 44 paragrafi 7).
Në këtë drejtim, dhe bazuar në trajtimin e lëndëve në periudhën e kaluar, Komisioni Shtetëror tregon si në vijim:
– funksioni këshilltar, edhe pse kryhet në mënyrë jo profesionale, është i papajtueshëm me funksionin e anëtarit të këshillit drejtues, mbikëqyrës ose këshillit të shkollës në ndërmarrjet publike ose organet ku komuna emëron ose cakton përfaqësuesit e saj;
– veprimtaria e avokatit pezullohet nëse avokati zgjidhet kryetar komune ose anëtar i këshillit, në përputhje me Ligjin për Avokaturë;
– kryerja e detyrës së dekanit dhe prodekanit, është e papajtueshme me kryerjen e një funksioni tjetër publik, gjegjësisht e papajtueshme me kryerjen e funksionit të kryetarit/anëtarit të këshillit, në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë.
3. Kryetari i Komunës që drejton një shoqëri tregtare ose institucion, është i detyruar, përpara se të marrë detyrën, t’ia besojë drejtimin një personi ose organi tjetër, përveç anëtarëve të familjes së tij, gjatë kohës së kryerjes së funksionit. Kur në shoqërinë tregtare/institucionin formohet një organ drejtues në të cilin kryetari i komunës ushtron të drejtat drejtuese, kalimi i të njëjtit nënkupton detyrimin e tij të jep dorëheqje nga anëtarësia në organin drejtues. Në afat prej 30 ditëve nga transferimi i të drejtave të menaxhimit, ai është i detyruar t’i dorëzojë Komisionit Shtetëror të dhënat për personin në të cilin janë transferuar të drejtat e menaxhimit dhe prova për transferimin e tyre. Personi të cilit janë transferuar të drejtat e menaxhimit konsiderohet personi me të cilin kryetari ka interes privat, në pajtim me nenin 8 paragrafi (4) të ligjit.
Kryetari/anëtari i Këshillit të Komunës është i detyruar që në afat prej 30 ditëve nga dita e marrjes së detyrës ti lajmërojë në komunë personat juridikë në pronësi të tij, në të cilat ka aksione, pjesëmarrje ose funksion drejtues, ndërsa komuna është e detyruar të publikojë këto të dhëna (neni 45);
4. Kryetari/anëtari i këshillit të Komunës, nuk mund të jetë anëtar i organit administrativ ose mbikëqyrës në shoqëri tregtare, ndërmarrje publike, agjenci, fonde dhe çdo person tjetër juridikë me kapital shtetëror dominues, përveç nëse me ligj parashikohet ndryshe (neni 49);
5. Në kryerjen e funksionit, kompetencave apo detyrave publike, kryetari nuk mund të krijojë marrëdhënie biznesi me persona juridik që janë në pronësi të tij ose në pronësi të një anëtari të familjes së tij ose në të cilin ai ose një anëtar i familjes së tij zotëron aksione ose që ka ai ose një anëtar i familjes së tij ose personi përgjegjës është anëtar i familjes së tij.
Në të kundërtën, në kontratën e lidhur zbatohen dispozitat për pavlefshmërinë e kontratës nga Ligji mbi marrëdhëniet e detyrimeve (neni 51);
6. Nuk mund të jetë përfitues i një granti, kredie ose mbështetje financiare nga njësia e vetëqeverisjes lokale, një person juridik themelues ose pronar i të cilit ka qenë ose është kryetar/anëtar i këshillit ose anëtar i familjes së tij ose në të cilin kryetari/anëtar i këshillit ose anëtar i familjes së tij është person përgjegjës ose zotëron pjesë ose aksione (neni 52);
7. Kryetari/anëtari i këshillit nuk guxon të ndikojë në punësimin ose avancimin e një personi të afërt në komunën në të cilën është zgjedhur ose në një organ tjetër shtetëror ose ndërmarrje publike, institucion publik ose person tjetër juridik që ka kapital shtetëror.
Kryetari/anëtari i këshillit është i obliguar ta informojë Komisionin Shtetëror për çdo zgjedhje, emërim apo punësim, avancim të një anëtari të familjes së tij në organin shtetëror, organ të vetëqeverisjes lokale, ndërmarrje publike ose person tjetër juridik që ka kapital shtetëror, në afat prej 10 ditëve nga dita e zgjedhjes, emërimit, avancimit ose punësimit (neni 56);
8. Kryetari/anëtari i këshillit nuk guxon të ndikojë në mënyrë të paligjshme në procedurën për prokurime publike. E njëjta gjë vlen edhe kur në bazë të konkursit , shpalljes ose ankandi publik vendoset të jepen miratime, koncesione, kontingjente ose licenca për të kryer veprimtari ekonomike ose të tjera fitimprurëse (neni 57);
9. Kryetari/anëtari i këshillit gjatë kryerjes së autorizimeve dhe detyrave publike nuk mund të pranojë dhurata, përveç në rastet, në shumën dhe mënyrën përcaktuar me Ligjin për shfrytëzim dhe dispononim të sendeve në pronësi shtetërore dhe komunale (neni 58);
10. Kryetari/anëtari i këshillit gjatë kryerjes së autorizimeve dhe detyrave publike nuk guxon të lidhë marrëveshje sponsorizimi në emër të tij (neni 59);
11. Kryetari/anëtari i këshillit në rast dyshimi për konflikt interesi, është i detyruar të kërkojë mendim nga Komisioni Shtetëror (neni 72);
12. Kryetari/anëtari i këshillit nëse merr pjesë në një debat në të cilin vendoset për çështje për të cilat ai ose person i afërm i tij ka interes privat, ai është i detyruar të raportojë ekzistimin e interesit privat dhe të jetë i përjashtuar para debatit dhe vendimmarrjes, dhe më së voni para fillimit të vendimit. Fshehja e ekzistimit të interesit privat nga kryetari/anëtari i këshillit paraqet shkelje të detyrës dhe bazë për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë dhe shqiptimin e masave në pajtim me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit (neni 73);
13. Kryetari/anëtari i këshillit që merr pjesë ose vendos në procedurën e përzgjedhjes, emërimit ose punësimit ose është i përfshirë si anëtar i organit që e zhvillon atë procedurë, është i detyruar të marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e shfaqjes së konfliktit të interesave. neni 74);
14. Kur Kryetari/anëtari i këshillit mëson për rrethana që tregojnë për ekzistencën e një konflikti interesi ose të një konflikti të mundshëm interesi, ai është i detyruar të kërkojë menjëherë të jetë i përjashtuar dhe të ndalojë me veprimet e tij. Kryetari/anëtari i këshillit mund të jetë i përjashtuar edhe me kërkesë të një personi të interesuar që ka marrë vesh rrethanat që tregojnë konflikt interesi ose konflikt të mundshëm interesi (neni 75);
15. Kryetarët e zgjedhur të komunave/anëtarët e këshillit komunal, përkatësisht Qytetit të Shkupit, janë të obliguar të dorëzojnë deklaratë për gjendjen e pronës dhe konfliktit të interesit, jo më vonë se në afat prej 30 ditëve nga dita e zgjedhjes.
Kryetarët/anëtarët e këshillit të cilëve u është ndërprerë detyra, janë të detyruar të paraqesin deklaratën e gjendjes së pronës dhe konfliktit të interesit, jo më vonë se në afat prej 30 ditëve nga dita e përfundimit të detyrës (neni 82);
16. Kryetarët e Komunës/anëtarët e këshillit janë të detyruar që në afat prej 30 ditëve të raportojnë çdo rritje të pasurisë së tyre, përkatësisht pasurisë së familjarëve të tyre, në vlerë që tejkalon njëzet paga mesatare neto në tremujorin e mëparshëm, si dhe ndryshimin e interesave. Neni 85).
17. Mos respektimi i të gjitha obligimeve dhe ndalimeve të lartpërmendura të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit përbën kundërvajtje dhe për të njëjtat shqiptohet sanksioni i caktuar kundërvajtës, përkatësisht vërejtje publike.
Krahas obligimeve dhe ndalimeve të theksuara, kryetarët e zgjedhur të komunave/anëtarët e këshillit komunal, përkatësisht Qyteti i Shkupit, në kryerjen e funksionit të tyre duhet t’u përmbahen dhe respektojnë dispozitat tjera të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave.
Të gjitha detyrimet e përmendura më parë vlejnë edhe për drejtorët, ushtrues detyre drejtorët dhe anëtarët e këshillave mbikëqyrës, drejtues dhe bordet e shkollave, të cilët zgjidhen ose emërohen nga kryetari i komunës, përkatësisht këshillit komunal.