KSHPK-ja e promovoi planin e parë të Veprimit për Barazinë Gjinore 2026–2030
Më 5 dhjetor 2025, KSHPK-ja e promovoi planin e parë të veprimit për avancimin e perspektivës gjinore 2026–2030, i përgatitur në partneritet me Misionin e OSBE-së në Shkup.
Dokumenti rrjedh nga vlerësimi i parë pjesëmarrës për çështjet gjinore, i realizuar në vitin 2024, i cili identifikoi sfidat, nevojat dhe mundësitë kryesore për përfshirjen e barazisë gjinore në politikat, procedurat dhe praktikat e Komisionit.
Në këtë ngjarje, folën kryetari i KSHPK-së, z. Adem Çuçul, përfaqësuesja e OSBE-së në Shkup, znj. Natalia Rusu; ekspertja kombëtare, znj. Neda Çalovska Dimovska, me prezantimin e gjetjeve kryesore nga Raporti për Barazinë Gjinore (2024); dhe zëvendës-koordinatorja për barazinë gjinore, znj. Sevim Mustafa, me prezantimin e Planit të Veprimit të Komisionit. Moderator i ngjarjes ishte Maja Lazarova nga Misioni i OSBE-së në Shkup.
Pas prezantimeve, pasoi një diskutim interaktiv dhe reflektime nga pjesëmarrësit. Në ngjarje morën pjesë 35 përfaqësues nga institucionet e pavarura dhe organet rregullatore, të cilët diskutuan mbi efektet e ndryshme të korrupsionit tek gratë dhe burrat, si dhe mbi rëndësinë e integrimit sistematik të perspektivës gjinore në luftën kundër korrupsionit.
Me miratimin e këtij Plani të Veprimit, KSHPK-ja bëhet një nga institucionet e para kundërkorrupsion në rajon që ka zhvilluar një Plan Veprimi gjinor institucional, duke vendosur standarde të reja në qasjen ndaj politikave kundërkorrupsion të ndjeshme ndaj gjinisë.
Plani i Veprimit paraqet më shumë se një dokument formal – ai është një kornizë praktike për politika më të drejta, më gjithëpërfshirëse dhe më të përgjegjshme, me të cilat KSHPK-ja i forcon kapacitetet për të identifikuar dhe reduktuar rreziqet specifike gjinore të korrupsionit.












