KSHPK-ja i prezantoi raportet e posaçme për financimin e fushatave zgjedhore për Zgjedhjet Lokale 2025 dhe Zgjedhjet e Përsëritura 2026
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), në bashkëpunim me Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), sot në Shkup mbajti një ngjarje për prezantimin e raporteve të posaçme mbi gjendjet e konstatuara në financimin e fushatave zgjedhore për Zgjedhjet Lokale 2025 dhe Zgjedhjet e Përsëritura 2026.

Ngjarjen e hapi Adem Çuçul, kryetar i KSHPK-së, ndërsa fjalim rasti pati edhe znj. Joana Kosma, drejtoreshë në vend e Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), organizatë që vazhdimisht jep mbështetje të rëndësishme në avancimin e proceseve zgjedhore, standardeve demokratike dhe kapaciteteve institucionale, përfshirë edhe përmes mbështetjes analitike, ekspertize dhe teknike për monitorimin e fushatave zgjedhore. Gjetjet e detajuara u prezantuan nga Adem Çuçul, kryetar i KSHPK-së, dhe Zoran Bogoevski, anëtar i KSHPK-së.
Në fjalimin e tij, kryetari i KSHPK-së theksoi se çdo cikël zgjedhor paraqet një sfidë serioze në menaxhimin e burimeve publike dhe aktiviteteve të institucioneve shtetërore, për çka është i domosdoshëm një mbikëqyrje efektive dhe respektim i qëndrueshëm i kufizimeve ligjore, me qëllim parandalimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të mjeteve publike.

Ai theksoi se ligjshmëria e burimeve të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore, si dhe ligjshmëria e shpenzimit të tyre, përbëjnë një parakusht themelor për një garë të drejtë politike ndërmjet pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore. Në këtë drejtim, KSHPK-ja, në përputhje me kompetencat e saj të përcaktuara me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit dhe Kodin Zgjedhor, është angazhuar në mënyrë aktive në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit gjatë procesit zgjedhor.

Në ngjarje u theksua se KSHPK-ja, përmes monitorimit të veprimtarisë financiare të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore, ndërmerr masa për parandalimin e korrupsionit, ndërsa aktivitetet e saj i zhvillon që nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve e deri në përfundimin e tyre. Në kuadër të monitorimit të procesit zgjedhor, KSHPK-ja ka vendosur bashkëpunim me disa institucione, përfshirë Komisionin Shtetëror Zgjedhor, Entin Shtetëror të Revizionit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe me organet dhe institucionet e tjera shtetërore, me qëllim sigurimin e të dhënave dhe regjistrave për të gjithë pjesëmarrësit e regjistruar në fushatën zgjedhore.
Gjatë prezantimit u theksua gjithashtu se KSHPK-ja, përmes publikimit të njoftimeve dhe udhëzimeve mbi kufizimet ligjore, i informon të gjitha subjektet përkatëse mbi detyrimet e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor, me qëllim parandalimin e keqpërdorimeve dhe veprimeve korruptive të mundshme.

Në kuadër të diskutimit u trajtuan edhe çështje lidhur me paraqitjen mediatike të raporteve dhe gjetjeve, qasjen dhe transparencën e të dhënave, si dhe mundësitë për drejtime të mëtejshme për forcimin e integritetit zgjedhor dhe politik.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit vlerëson se raportimi financiar i hapur, i saktë dhe në kohë, si dhe mbikëqyrja institucionale efektive, përbëjnë parakushtet kyçe për forcimin e besimit në procesin zgjedhor, integritetin politik dhe llogaridhënien demokratike.









