Nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi mes KSHPK-së dhe Institutit Kombëtar Demokratik në kuadër të projektit “Komunitete me Integritet”
Më 6 prill 2026, në hapësirat e Institutit Kombëtar Demokratik (IKD) në Shkup, u nënshkrua Memorandum bashkëpunimi mes Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Institutit Kombëtar Demokratik (IKD), në kuadër të projektit “Komunitete me Integritet”.
Memorandumin e nënshkruan kryetari i KSHPK-së, z. Adem Çuçul, dhe drejtori i lartë rezident i IKD-së, z. Robert Skot Hejzlet.
Me këtë memorandum, KSHPK-ja dhe IKD-ja konfirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për të promovuar integritetin, transparencën dhe rezistencën ndaj korrupsionit, me theks të veçantë në mbështetjen e komunave për krijimin dhe forcimin e sistemeve lokale të integritetit.
Bashkëpunimi do të jetë i fokusuar në aktivitete për ndërtimin e kapaciteteve, mbështetje teknike dhe profesionale, zhvillimin dhe përmirësimin e mekanizmave për parandalimin e korrupsionit, si dhe forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve në nivel nacional dhe lokal. Në kuadër të projektit, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbështetjes së komunave në identifikimin dhe reduktimin e rreziqeve nga korrupsioni, forcimin e politikave për integritet, si dhe përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në funksionimin e tyre.
Projekti “Komunitete me Integritet”, i financuar nga Konfederata Zvicerane dhe Suedia, dhe i zbatuar nga IKD-ja, ka për qëllim të kontribuojë në krijimin e mekanizmave më të fortë për parandalimin e korrupsionit në nivel lokal, si dhe të forcojë rolin e institucioneve, shoqërisë civile dhe mediave në monitorimin dhe përmirësimin e integritetit në komunat
KSHPK- ja mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të partneriteteve që kontribuojnë në krijimin e institucioneve më të qëndrueshme, përmirësimin e qeverisjes së mirë dhe ndërtimin e besimit tek qytetarët.











