NJOFTIM
Shkup, 17.02.2026
U mbajt punëtoria e parë në kuadër të Projektit të BE-së IPA për përmirësimin e digjitalizimit të institucioneve shtetërore në fushat e gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit, në hapësirat e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror patën mundësinë të njihen me ekipin e projektit, i përbërë nga përfaqësues të Konsorciumit KING ICT nga Kroacia dhe përfaqësues të DPKDIU KING ICT shpknjp – Shkup.
Ekipi i projektit i prezantoi fazat e projektit dhe dinamikën kohore për zbatimin e tij para Kryetarit, anëtarëve dhe të punësuarve në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Në fokus të veçantë të diskutimit ishin aktivitetet projektore të Komponentës 1: Përmirësimi i menaxhimit të IT-së dhe zbatimi i masave të sigurisë të bazuara në standarde, si dhe të Komponentës 5: Avancimi i sistemit për menaxhimin e rasteve në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Në kuadër të Komponentës 1 të projektit, gjatë punëtorisë njëditore, ekipi i projektit dhe Komisioni Shtetëror trajtuan aspektet e procesit të menaxhimit dhe të vendimmarrjes në institucion, qasjen strategjike ndaj IT-së dhe politikave institucionale, sistemin e menaxhimit të sigurisë së informacionit, menaxhimin e rreziqeve dhe kornizën e kontrollit, si dhe gatishmërinë e institucionit për implementimin e një sistemi për menaxhimin e sigurisë së informacionit.
Për nevojat e zbatimit të aktiviteteve projektore të Komponentës 5, të pranishmit u ndalën në shqyrtimin e proceseve lidhur me dorëzimin dhe përpunimin e deklaratave për pasurinë dhe interesat, mundësitë për verifikimin e të dhënave, interoperabilitetin me regjistrat, kontrollin e konfliktit të interesave, përpunimin e rasteve dhe menaxhimin e dokumenteve. Në kuadër të kësaj komponente, diskutimi trajtoi edhe gjendjen aktuale të arkitekturës IT të Komisionit Shtetëror.
Duke pasur parasysh qëllimin e punëtorisë teknike, ajo mundësoi njohjen e ekipit të projektit me gjendjen aktuale të digjitalizimit të proceseve në
Komisionin Shtetëror, dhe si rezultat i saj u përcaktuan vëzhgime përfundimtare, u identifikuan çështje të hapura teknike dhe u përcaktuan hapat e ardhshëm drejt implementimit të suksesshëm të projektit.











