Takim me ambasadoret e Zvicrës dhe Mbretërisë së Suedisë
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) realizoi takim me Ambasadoret e Zvicrës, SH.T. Veronique Ullmann, dhe të Mbretërisë së Suedisë, SH.T. Ami Larsson Jain, të cilat ishin të shoqëruara nga znj. Kristina Kolozova – oficere e lartë kombëtare për programe dhe znj. Biljana Xhartova Petrovska – menaxhere e lartë e programeve.
Kryetarja e KSHPK-së, Tatjana Dimitrovska, shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm, me theks të veçantë në aktivitetet e përbashkëta për forcimin e integritetit në njësitë e vetëqeverisjes lokale, verifikimin kundërkorrupsion të legjislacionit dhe përgatitjen e Strategjisë së re Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit.
Gjatë takimit u prezantuan edhe rezultatet dhe aktivitetet që KSHPK-së që ika realizuar gjatë vitit 2024, në përputhje me kompetencat ligjore, si dhe gjetjet e raporteve vjetore për punën e Komisionit dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare 2021–2025. U diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin dhe Qeverinë, përmes grupit ndërpartiak parlamentar kundër korrupsionit dhe Trupit Ndërinstitucional për Koordinim, duke theksuar nevojën për një vullnet politik më të fortë për zbatimin e rekomandimeve të KSHPK-së.
Ambasadorja Ullmann informoi për mbështetjen aktuale që ambasadat ofrojnë përmes projekteve të ndryshme, veçanërisht përmes NDI-së, në nivel lokal, si dhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve si KSHPK, Enti Shtetëror i Revizionit, Byroja për Furnizime Publike dhe Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisjen Lokale.
Në fokus ishte edhe bashkëpunimi me Prokurorinë Publike, ku u prezantuan aktivitetet aktuale dhe të ardhshme, duke përfshirë përgatitjet për nënshkrimin e një memorandumi të ri bashkëpunimi.
Ambasadorët theksuan rëndësinë e një bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe ndërinstitucional, përfshirjen e sektorit të shoqërisë civile dhe mediave, si dhe nevojën për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të KSHPK-së për një parandalim dhe luftë më efikase kundër korrupsionit.
Takimi përfundoi me kënaqësi të ndërsjellë dhe gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit përmes projekteve të përbashkëta, të orientuara drejt forcimit të integritetit institucional dhe zbatimit efektiv të politikave kundërkorrupsion.


