Takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian z. David Gere
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), i udhëhequr nga kryetarja Tatjana Dimitrovska, realizoi takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut z. David Gere.
Kryetarja Dimitrovska dhe anëtarët e KSHPK-së duke shprehur mirënjohje për vizitën e Ambasadorit Gere në fillim të mandatit të anëtarëve të sapozgjedhur të KSHPK-së, theksuan se është me rëndësi të veçantë mbështetja e delegacionit të Bashkimit Evropian për forcimin e kapacitetit institucional të KSHPK-së në drejtim të zbatimit më efikas të kompetencave të saj ligjore. Përbërja e re e KSHPK-së do të punojë me një ritëm të rritur në fushën e parandalimit të korrupsionit dhe konfliktit të interesave, promovimit të integritetit të institucioneve dhe mbartësve të funksioneve publike, si dhe promovimit të qeverisjes së mirë, theksoi kryetarja Dimitrovska.
Ambasadori Gere, duke shprehur kënaqësinë e bashkëpunimit deri më tani, theksoi se Delegacioni i Bashkimit Evropian mbetet i përkushtuar në mbështetjen e KSHPK-së. KSHPK-ja është një histori e suksesit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Puna dhe proaktiviteti i saj vlerësohet pozitivisht nga Bashkimi Evropian, i cili është shënuar edhe në raportet për progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Duke pasur parasysh përvojën e punës deri më tani të kryetarit dhe anëtarëve të përbërjes së re, pritet që KSHPK-ja të mbetet proaktiv, i vendosur dhe transparent, për të cilin do të ketë mbështetjen e plotë të delegacionit të Bashkimit Evropian, theksoi ai.
KSHPK-ja e informoi ambasadorin për qëllimet dhe prioritetet strategjike të KSHPK-së në periudhën e ardhshme. Forcimi i luftës vendimtare dhe jo selektive kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave, promovimi i mekanizmave parandalues për parandalimin e korrupsionit, forcimi i integritetit institucional në drejtim të qeverisjes së mirë, marrja e vendimeve të bazuara dhe të detyrueshme, nxitja e bashkëpunimit me organet dhe institucionet shtetërore, veçanërisht me institucionet kompetente në fushën e luftës kundër korrupsionit, si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale të KSHPK-së, janë prioritete të cilave KSHPK-ja do t’i përkushtohet në periudhën e ardhshme, theksoi kryetarja Dimitrovska.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin e KSHPK-së me institucionet tjera kompetente në fushën e parandalimit dhe represionit të korrupsionit. Bashkërisht u theksua se për një luftë më të suksesshme kundër korrupsionit, rëndësi e veçantë është përmirësimi i bashkëpunimit me Prokurorinë Publike, si dhe respektimi i rekomandimeve të KSHPK-së dhe procesimi i iniciativave të saj.
U diskutuan edhe nevojat prioritare të KSHPK-së si dhe mundësitë mbështetjes nga Delegacioni i Bashkimit Evropian. Njëkohësisht u konstatua se për një pjesë të nevojave tashmë po punohet për ofrimin e mbështetjes në kuadër të projektit të BE-së “Sundimi i Ligjit”. Në këtë drejtim u ra dakord që të vazhdojë komunikimi për funksionalizimin e bashkëpunimit.