U MBAJT PUNËTORI PËR KONSOLIDIMIN E MATERIALEVE TË STRATEGJISË KOMBËTARE PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT DHE KONFLIKTIT TË INTERESIT 2026–2030
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), në periudhën nga 4 deri më 6 shkurt 2026, me mbështetjen e projektit “Komunitete me Integritet”, i financuar nga qeveritë e Zvicrës dhe Suedisë, ndërsa i zbatuar nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), mbajti punëtori treditore kushtuar konsolidimit dhe avancimit të materialeve punuese për Strategjinë e re Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030 (SK 2026–2030).
Punëtoria ishte e orientuar drejt një analize të thelluar dhe sistematike, harmonizimit dhe përpunimit të mëtejshëm të përmbajtjeve të përgatitura nga ekspertët e angazhuar, në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me të gjithë aktorët e përfshirë, me qëllim të sigurimit të një strukture koherente, objektivave qartësisht të përcaktuara dhe të matshme, si dhe masave dhe aktiviteteve realisht të zbatueshme. Theks i veçantë iu kushtua adresimit të problemeve prioritare të identifikuara dhe rreziqeve të korrupsionit brenda dy fushave horizontale dhe pesë sektorëve vertikalë të përfshirë në Strategji, duke pasur parasysh ndërlidhjen e tyre dhe zbatueshmërinë praktike.
Në sesionin përmbyllës të punëtorisë morën pjesë edhe bashkëkryesuesit e Grupit Ndërpartiak Parlamentar për Luftën kundër Korrupsionit, deputetja Sonja Mirakovska dhe deputeti Lupço Prenxhov, si dhe përfaqësues nga Kabineti i zëvendëskryeministrit të Qeverisë përgjegjës për qeverisje të mirë.
Paraqitjet dhe komentet e tyre dhanë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e mbështetjes politike dhe avancimin e koordinimit ndërinstitucional në procesin e përpilimit të SK 2026–2030, duke u theksuar nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të ngushtë ndërmjet KSHPK-së, Kuvendit dhe Qeverisë për një proces të suksesshëm të zbatimit të plotë të kornizës strategjike kombëtare kundër korrupsionit.
Edhe në fazat vijuese, KSHPK-ja do të vazhdojë të udhëheqë procesin e përgatitjes së SK 2026–2030 përmes një qasjeje transparente dhe gjithëpërfshirëse, me qëllim forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.













