20 vjet KSHPK: Korrupsioni është në çdo pore, lufta është e mundur vetëm me institucione të forta me integritet
Lufta kundër korrupsionit kërkon angazhim në të gjitha nivelet e shoqërisë. Prandaj, me rëndësi të jashtëzakonshme është që të gjitha institucionet përkatëse të ndërmarrin veprime në kuadër të kompetencave të tyre dhe të rrisin azhurimin e tyre. Rezultate konkrete mundë të japë vetëm lufta dhe koordinimi i përbashkët.
Këtë e theksoi kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, në ceremoninë me rastin e 20 vjetorit të KSHPK-së, e cila u mbajt më 15 nëntor 2022 në Muzeun e Luftës Maqedonase në të cilën morën pjesë Kryetari i Shtetit, përfaqësues të autoriteteve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, përfaqësues të korit diplomatik, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat.
Në fjalën e saj Kryetarja e KSHPK-së Biljana Ivanovska theksoi se askush nuk duhet t’i anashkalojë indikacionet e miqve tanë nga Evropa dhe SHBA-ja kur thonë se korrupsioni në vend është i pranishëm në çdo pore dhe duhet të gjejmë një mënyrë për t’i thyer rrjetet e përbashkëta politike që lejojnë korrupsionin të lulëzojë.
“Për t’i ndalur këto rrjete duhet që të ketë vullnet të vërtetë politik. Deri më tani, progresi në këtë front seriozisht ka munguar. Këto fjalë janë një alarm i fortë për të gjithë aktorët e shoqërisë dhe çdo fitore është një gur i rëndësishëm në mozaikun e një shoqërie të shëndetshme. Pres që të pranohen mesazhet nga faktori ndërkombëtar dhe të rritet efikasiteti i institucioneve tjera, të cilat edhe më tutje duhet të veprojnë sipas rekomandimeve dhe iniciativave të KSHPK-së drejt mbylljes së plotë të lëndëve”, tha Ivanovska.
Kryetarja e KSHPK-së theksoi se nëse duam të ndërtojmë një shtet funksional dhe të parandalojmë emigracionin nga vendi, atëherë të gjithë duhet t’i vendosim vetes një synim që të ndërtojmë institucione të shëndetshme dhe të forta me integritet që do të mundësojnë sundimin e ligjit.
Kryetarja e KSHPK-së Biljana Ivanovska iu referua edhe zhvillimit të Komisionit nga fillimet e tij deri më sot, duke theksuar sfidat me të cilat ballafaqohet në aspektin e kapaciteteve të pamjaftueshme njerëzore dhe materiale të nevojshme për zbatimin e kompetencave të saj ligjore. Ajo theksoi se edhe pse në periudhën e fundit gjendja është përmirësuar dukshëm, numri i të punësuarve nuk është as gjysma e asaj që nevojitet, nëse merret parasysh analiza funksionale e përgatitur sipas kompetencave të reja në Ligjin.
Kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në ceremoninë theksoi se lufta kundër korrupsionit është vendimtare për ndërtimin e një shoqërie të dominuar nga një kulturë politike e bazuar në interesin publik dhe për të gjitha këto duhet të kujdeset një administratë publike e rekrutuar sipas kritereve më të larta.
“Duke sulmuar këto vlera themelore, korrupsioni de facto bëhet gjeneratori më i madh i padrejtësisë dhe pabarazisë, dhe kështu pengesa më e madhe për zhvillimin demokratik të shtetit”. Korrupsioni gjeneron padrejtësi sepse krijon një kulturë të mosndëshkimit. Besimi i ulët në institucionet tona gjyqësore është pasojë e besimit të përhapur mes qytetarëve se ryshfeti është vendimtar për rezultatin e proceseve gjyqësore ose se është e pamundur të dalësh nga labirinti gjyqësor pa njohur “njerëzit e duhur në pozicionet e duhura”. theksoi Kryetari i Shtetit Stevo Pendarovski.
Kryetari theksoi se gjatë viteve të fundit inkurajon proaktivitetin e KSHPK-së, veçanërisht pas miratimit të Ligjit të ri për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave dhe Strategjisë Kombëtare, theksoi se lufta reale kundër korrupsionit nuk është detyra e vetëm një institucioni dhe e njëjta nuk duhet të zgjasë vetëm për një mandat.
Kryetari i Kuvendit z. Talat Xhaferi theksoi se Deklarata kundër korrupsionit nuk është vetëm shkronja në një fletë të bardhë, por është një bazë nga e cila duhet të nisemi të gjithë.
“Ajo është një udhërrëfyes që duhet ta ndjekim të gjithë për të mirën e të gjithëve. Ne nuk jemi këtu për interesa personale. “Institucionet nuk janë institucionet tona personale, janë institucione drejt të cilave drejtohet besimi i qytetarëve tanë, shpresa e tyre për një të nesërme më të mirë dhe ne si ekzekutues duhet ta arsyetojmë atë detyrë të përgjegjshme”, tha Xhaferi.
Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, znj. Sllavica Grkovska, tha se është arritur përparim i jashtëzakonshëm në kapacitetin, profesionalizmin dhe pavarësinë e Komisionit, por se “korrupsioni edhe më tutje është një nga problemet më urgjente me të cilat ballafaqohet vendi ynë”. Sipas saj, është momenti i duhur për të pyetur veten se çfarë duhet të ndryshojmë në qasjen tonë, ku gabojmë, në cilën pjesë mund të jemi më efikas, cilat janë prioritetet tona. Ajo përmendi se KSHPK-ja ka mbështetjen e Qeverisë, por ajo që është edhe më e rëndësishme, ka mbështetjen e qytetarëve, të cilët nuk kanë më tolerancë për asnjë sjellje korruptive dhe kërkojnë reagim të shpejtë dhe efikas.
Fjalën e saj e mbajti edhe Kryetarja e parë e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, znj. Sllagjana Taseva, e cila bëri një retrospektivë të fillimeve të Komisionit Shtetëror dhe sfidave me të cilat përballej përbërja e parë e Komisionit Shtetëror, e uroi përvjetorin të anëtarëve aktualë dhe të mëparshëm të Komisionit Shtetëror, duke dëshiruar zhvillimin e mëtejshëm të KSHPK-së si dhe një luftë më të suksesshme dhe efektive kundër korrupsionit në vend.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, David Geer theksoi progresin e Komisionit Shtetëror i cili u konstatua në raportin e fundit për progresin e vendit.
Por ai theksoi se sfidat më të mëdha nga korrupsioni mbeten:
“Korrupsioni sistemik pengon zhvillimin, ndikon në cilësinë e jetës, minon demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kontribuon që të rinjtë ta imagjinojnë të ardhmen e jetës së tyre diku tjetër. Diagnoza është e lehtë, por trajtimi është jashtëzakonisht i vështirë. Kërkon kohë, vendosshmëri dhe përpjekje të jashtëzakonshme nga të gjitha institucionet shtetërore”, tha ambasadori Geer, i cili theksoi se do të jenë partnerë të KSHPK-së në çdo hap të luftës kundër korrupsionit.
Ambasadorja e SHBA-së, Znj. Angela Ageler në fjalën e saj e lavdëroi KSHPK-në për zhvillimin e saj si një zë i pavarur në luftën kundër korrupsionit. Njëkohësisht ajo bëri thirrje për veprim dhe përkushtim më të madh të të gjitha palëve të interesuara në drejtim të një lufte më efektive kundër korrupsionit.
“Korrupsioni e ndalon këtë vend nga sukseset e shumta që mund të arrijë, të angazhohemi ta ndjekim korrupsionin kudo që ekziston dhe të kërkojmë përgjegjësi nga aktorët e korruptuar”, tha ambasadorja Ageler.
Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së z. Armen Gregorian theksoi se korrupsioni ndikon negativisht në vend në kushtet sociale, ekonomike dhe ekologjike. UNDP-ja nga përvoja në mbështetjen e përpjekjeve kundër korrupsionit ndër vite, tregon se një qasje e njëkohshme praktike dhe holistike është e vetmja mënyrë për të luftuar korrupsionin.
“E përgëzoj KSHPK-në për punën dhe përkushtimin e saj në parandalimin e një prej pengesave më shkatërruese në zhvillimin shoqëror dhe përfaqësuesve kombëtarë dhe vendorë që i thonë jo korrupsionit. UNDP-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur institucionet në proceset e transformimit”, tha Gregorian.
Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” si përfaqësues i Platformës së organizatave të shoqërisë civile për luftën kundër korrupsionit theksoi bashkëpunimin e Komisionit Shtetëror me organizatat e shoqërisë civile në disa aspekte. Dhe nënvizoi se lufta kërkon përfshirje më aktive të të gjithë aktorëve të tjerë shtetërorë, duke theksuar se është e rëndësishme që e sotmja do t’u lihet brezave të ardhshëm.