Pjesëmarrje në Konferencën Rajonale ‘Rritja e ndërgjegjësimit te funksionarët për deklarimin e pasurisë, dhuratave dhe parandalimin e konfliktit të interesit'”
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) Besnik Xhemaili, Sekretari i Përgjithshëm Adem Çuçul dhe Udhëheqësja e Sektorit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, Monitorimin e Gjendjes Pasurore dhe Interesave dhe Lobimit, Kate Zdravkovska, morën pjesë në konferencën rajonale me temë “Rritja e ndërgjegjësimit te funksionarët përgjegjës për deklarimin e pasurisë, dhuratave dhe parandalimin e konfliktit të interesit”, e cila u mbajt në Prishtinë, Kosovë, më 22 dhe 23 maj 2025.
Punëtoria ishte pjesë e Projektit kundër krimit ekonomik, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, dhe në të, përveç KSHPK-së, morën pjesë edhe përfaqësues të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit të Kosovës, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave – Shqipëri, Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit – Mali i Zi, si dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Koordinimin e Luftës Kundër Korrupsionit (APIK) – Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Kosova.
Ngjarja u përqendrua në dy tema kyçe që lidhen me qeverisjen e mirë: deklarimin dhe verifikimin e pasurisë dhe dhuratave nga zyrtarët publikë, si dhe parandalimin e konfliktit të interesit. Gjatë punimeve u shkëmbyen përvoja dhe praktika pozitive nga vendet e rajonit, si edhe praktika të mira nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat u prezantuan nga eksperti i Këshillit të Evropës, Silviu Popa.
Në kuadër të punëtorisë, anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Besnik Xhemaili mbajti fjalim, në të cilin u ndal te kompetencat ligjore të Komisionit në fushën e deklarimit dhe monitorimit të pasurisë dhe interesave, si dhe menaxhimit të regjistrit të dhuratave. Ai theksoi rëndësinë e këtyre mekanizmave dhe nevojën për përmirësimin e vazhdueshëm të tyre në drejtim të një parandalimi dhe luftimi më efikas të korrupsionit.
Zhvilluar nën moton “Besimi fillon me transparencë”, ky aktivitet forcoi përkushtimin institucional për parandalimin e korrupsionit dhe bashkëpunimin rajonal për ruajtjen dhe zhvillimin e integritetit të institucioneve publike.



