KSHPK-ja filloi me aktivitetet për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit 2026–2030
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), në përputhje me kompetencat e veta ligjore të përcaktuara në nenin 18 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit (“Gazeta Zyrtare e RM-së” nr. 12/2019), filloi me përgatitjen e Strategjisë së re Kombëtare pesëvjeçare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit për periudhën 2026–2030, së bashku me planin e veprimit për zbatimin e saj.
Si pjesë e këtij procesi, KSHPK-ja ka përgatitur një Plan të aktiviteteve, sipas të cilit ka miratuar Metodologjinë për vlerësimin e rreziqeve nga korrupsioni, e cila do të përdoret për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit. Në vijim, janë organizuar katër grupe fokusi për Vlerësimin e rreziqeve nga korrupsioni në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Punëtoritë janë mbajtur më 4 dhe 5 qershor 2025, në hapësirat e KSHPK-së. Të pranishëm në këto punëtori ishin përfaqësues të institucioneve të pushtetit qendror, organeve të pavarura, ndërmarrjeve publike dhe shoqërive aksionare, së bashku me përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe sektori civil.
Këto aktivitete përbëjnë hapin e parë drejt një analize të gjithanshme të rreziqeve nga korrupsioni, mbi bazën e së cilës do të ndërtohet Strategjia e ardhshme Kombëtare. Përmes përfshirjes së aktorëve dhe institucioneve relevante, KSHPK-ja synon një proces transparent dhe gjithëpërfshirës në hartimin e politikave për luftën kundër korrupsionit.
Në këtë drejtim, të gjithë pjesëmarrësve në punëtoritë u ishte vënë në dispozicion një grup i strukturuar pyetjesh për grupet e fokusit, i cili shërbeu si një mjet për konsultim paraprak dhe koordinim brenda organizatave, me qëllim sigurimin e një pjesëmarrjeje aktive dhe cilësore.
KSHPK-ja, duke vazhduar me ritëm të përshpejtuar realizimin e të gjitha aktiviteteve që lidhen me përgatitjen e Strategjisë së re Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, njëkohësisht inkurajon të gjithë përfaqësuesit e ftuar nga institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët që të përfshihen aktivisht në këtë proces, me qëllim që së bashku të kontribuojmë në krijimin e një sistemi më efikas për parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e integritetit në sektorin publik dhe privat.


