Vetëm 42% e institucioneve dorëzuan të dhëna për automjetet zyrtare para zgjedhjeve lokale të vitit 2025
Sipas Kodit Zgjedhor, fondet publike, ndërmarrjet publike dhe të gjitha personat juridikë të tjerë që disponojnë me kapital shtetëror kishin për obligim që brenda dhjetë ditëve nga dita e marrjes së vendimit për shpalljen e Zgjedhjeve lokale 2025, respektivisht deri më 18.08.2025, ora 24:00, të dorëzojnë në KSHKP të dhëna për numrin, llojin, targat dhe gjendjen teknike të të gjitha automjeteve zyrtare që i kanë në dispozicion institucionet.
KSHPK në faqen e saj zyrtare ka publikuar Regjistrin e automjeteve motorike zyrtare, si pjesë e obligimit ligjor të paraparë në Kodin Zgjedhor.
Gjithashtu, me qëllim të sigurimit të informimit transparent të publikut dhe për të parandaluar keqpërdorimin eventual të automjeteve zyrtare gjatë fushatës zgjedhore, KSHPK në faqen e saj zyrtare ka publikuar të dhëna për institucionet që nuk kanë dorëzuar informacione për automjetet zyrtare (linku), si dhe një përmbledhje të të dhënave për markën dhe targat e automjeteve nga institucionet që nuk kanë dorëzuar të dhëna, por disponojnë me automjete zyrtare (linku).
Obligim për të dorëzuar të dhëna kishin gjithsej 1.514 institucione, sipas të dhënave të Regjistrit qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Deri më 29 shtator 2025, gjithsej 635 institucione, ose 42%, kanë dorëzuar të dhëna, ndërsa 879 institucione, ose 58%, nuk kanë dorëzuar fare të dhëna.
Nga 635 institucionet që dorëzuan informacione, 63% përkatësisht 403 institucione, e bënë këtë brenda afatit ligjor dhe raportuan gjithsej 4.079 automjete, ndërsa 232 institucione i dorëzuan të dhënat për 2.558 automjete pas skadimit të afatit.
Nga të dhënat e dorëzuara nga 635 institucione, në regjistër deri tani janë publikuar informacione për 578 institucione që disponojnë gjithsej 6.637 automjete, ndërsa 57 institucione kanë raportuar se nuk disponojnë me automjete.
Nga gjithsej 6.637 automjete të regjistruara në Regjistrin e automjeteve, 5.456 janë në gjendje të mirë për vozitje, 1.003 nuk janë në gjendje të voziten, ndërsa për 178 automjete nuk ka fare të dhëna lidhur me gjendjen e tyre teknike.
Sa i përket krahasimit ndërmjet të dhënave të dorëzuara nga institucionet dhe atyre që janë marrë nga Ministria e punëve të brendshme (MPB), është konstatuar se tek një pjesë e institucioneve numri i automjeteve të raportuara përputhet plotësisht (34% e institucioneve). Megjithatë, ekziston një numër i konsiderueshëm i rasteve (66% e institucioneve) ku institucionet kanë raportuar më shumë ose më pak automjete sesa figurojnë në evidencën e MPB-së. Gjithashtu, janë evidentuar edhe 27 institucione që kanë raportuar se disponojnë me automjete, por ato automjete fare nuk figurojnë në të dhënat e MPB-së, gjë që ngre dyshime se automjetet mund të jenë të regjistruara në emër të një subjekti tjetër juridik, por t’u jenë dhënë ose huazuar për përdorim këtyre institucioneve.
Ekzistojnë edhe të dhëna për automjete me status të informacioneve të klasifikuara, prandaj ato nuk janë publikuar për opinionin.
Nga 879 institucionet që nuk dorëzuan informacione, sipas të dhënave të Ministrisë së punëve të brendshme (MPB), konstatuam se 192 institucione disponojnë me 2.028 automjete, por nuk kanë dorëzuar asnjë informacion tek KSHPK.
Me këtë praktikë sigurohet akses publik dhe nxiset transparenca dhe përgjegjësia te institucionet që kanë detyrim të raportojnë për automjetet zyrtare.