U MBAJT PUNËTORIA E DYTË TEMATIKE PËR SEKTORIN E TRANSPORTIT DHE OBJEKTET INFRASTRUKTURORE (PROJEKTET), NË KUADËR TË PROCESIT TË PËRGATITJES SË STRATEGJISË KOMBËTARE PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT DHE KONFLIKTIT TË INTERESIT 2026–2030
Në kuadër të përgatitjeve për Strategjinë e re Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, më 24.12.2025, mbajti punëtorinë e dytë tematike gjithëditore. Gjatë saj, bazuar në vizionin, qëllimet strategjike dhe problemet kyçe të përcaktuara më parë, u finalizuan disa nga masat dhe aktivitetet për tejkalimin e problemeve prioritare, si dhe u përcaktuan institucionet përgjegjëse për zbatimin e tyre, në sektorin e TRANSPORTIT DHE OBJEKTEVE INFRASTRUKTURORE (PROJEKTET).
Në punëtori ishin të ftuar përfaqësues të organeve shtetërore, institucioneve, shoqatave, fondacioneve, sektorit privat dhe mediave, të cilët dhanë një kontribut të rëndësishëm në konfirmimin e problemeve dhe rreziqeve të identifikuara më parë, në identifikimin e rreziqeve të reja, si dhe në përcaktimin e masave, aktiviteteve dhe institucioneve përgjegjëse për zbatimin e tyre.
Sipas Metodologjisë për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare 2026–2030, Komisioni Shtetëror në pesëvjeçarin e ardhshëm do të përqendrohet në dy fusha horizontale: Prokurimet Publike dhe Mbikëqyrja e Zbatimit të Ligjeve, si dhe në pesë sektorë vertikalë, dhe atë: Drejtësia, Shëndetësia, Urbanizmi dhe Planifikimi Hapësinor (planifikim hapësinor, urbanistik dhe ndërtim), Mjedisi jetësor, Energjia dhe Burimet Natyrore, dhe Transporti dhe Objektet Infrastrukturore (projektet).
Kjo punëtori ishte e fundit në serinë prej gjithsej 24 punëtorive, tre për secilën fushë/sektor, ku u finalizuan problemet prioritare që shkaktojnë një nivel të lartë korrupsioni, si dhe masat, aktivitetet dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e tyre.
Pas finalizimit të draftit të Strategjisë Kombëtare 2026–2030, sipas planit të aktiviteteve për përgatitjen e saj, drafti fillimisht do të dërgohet te institucionet përgjegjëse për zbatimin e aktiviteteve, për të eliminuar çdo papërshtatshmëri, dallim apo paqartësi në ndarjen e kompetencave, aty ku kjo është e qëndrueshme dhe e arsyeshme. Përveç kësaj, Strategjia Kombëtare 2026–2030 do të vihet në dispozicion të publikut për shqyrtim dhe komente, dhe çdo person i interesuar do të mund të japë sugjerimet dhe vërejtjet e tij për përmirësimin e saj. Pas kësaj, do të nisë faza e miratimit të Strategjisë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, dhe më pas ajo do t’i dorëzohet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për miratim.













