NJOFTIM PËR PUBLIKUN
Me ftesë të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, më datë 29 janar 2026, në Sallën Solemne të Qeverisë u mbajtë trajnimi me temë: “Sistemi i integritetit, transparencës dhe parandalimit të korrupsionit – baza për vendosjen dhe përmirësimin e integritetit personal dhe profesional”, i organizuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).
Në trajnim morën pjesë kryetari i KSHPK-së, z. Adem Çuçul dhe znj. Aleksandra Çavdarevska, në rolin e trajneres.
Në fjalimin e tij, kryetari Adem Çuçul theksoi rëndësinë e integritetit si një vlerë themelore të qeverisjes së mirë institucionale dhe si një parakusht të domosdoshëm për ndërtimin e besimit në institucione, duke nënvizuar se parandalimi i korrupsionit fillon me rregulla të qarta të vendosura, por mbahet përmes përgjegjësisë personale dhe institucionale.
Theks i veçantë iu kushtua integritetit personal si një praktikë e domosdoshme e përditshme profesionale, e jo thjesht një detyrim formal, si dhe pasojave të dëmshme të dukurive korruptive mbi institucionet dhe shoqërinë në tërësi.
Në kuadër të trajnimit u theksua se sistemi i integritetit përfaqëson një proces të gjallë dhe dinamik, i cili kërkon edukim të vazhdueshëm dhe forcim të kapaciteteve të nëpunësve publikë. Njëkohësisht, u nënvizua nevoja për përmirësim të mëtejshëm të sistemit të integritetit, në drejtim të institucionalizimit të tij të plotë dhe forcimit të qasjes parandaluese në luftën kundër korrupsionit.
Trajnimi ishte i fokusuar në aspektet praktike dhe sistemore të integritetit në sektorin publik, ku u diskutua roli i Qeverisë si bartëse e politikave publike dhe si shembull për të gjithë sektorin publik, rëndësia e transparencës dhe llogaridhënies, kompetencat e KSHPK-së në zbatimin dhe monitorimin e sistemit të integritetit, si dhe menaxhimi i konfliktit të interesit, burimeve publike, kompetencave diskrecionale dhe raportimi i mbrojtur i sinjalizuesve.
KSHPK-ja mbetet e përkushtuar ndaj edukimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit me institucionet, duke e njohur se investimi në një nivel të lartë të njohurive mbi materjen kundër korrupsionit është thelbësor për forcimin e integritetit institucional, e rrjedhimisht edhe të besimit publik, llogaridhënies dhe cilësisë së veprimit të institucioneve.













