Vizitë studimore e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Slloveni
Delegacioni i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i kryesuar nga kryetari Adem Çuçul, në kuadër të projektit „Mbështetje e BE-së për sundimin e ligjit“, në periudhën 09-11 shtator 2026, realizoi vizitë studimore në Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit të Republikës së Sllovenisë.
Qëllimi i vizitës dyditore është njohja me praktikat e mira dhe përvojat e Komisionit Slloven për Parandalimin e Korrupsionit në zbatimin e kompetencave të tij ligjore.
Delegacioni i KSHPK-së, në fillim të vizitës, zhvilloi një takim me kryetaren e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit të Republikës së Sllovenisë, znj. Katarina Bervar Shternad, si dhe me anëtarët e Komisionit, znj. Tina Divjak dhe z. Alesh Kocjan.
Zëvendësja e kryetares së Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit të Sllovenisë, znj. Divjak, prezantoi në detaje sfidat kryesore që lidhen me udhëheqjen dhe menaxhimin operacional të Komisionit, praktikat e mira dhe sfidat në procedurat për shqyrtimin e denoncimeve për dyshime për sjellje korruptive, bashkëpunimin me institucionet shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile në fushën e parandalimit të korrupsionit, si dhe bashkëpunimin me mediat. Për më tepër, ekspertë të punësuar në Komision prezantuan sistemin për deklarimin dhe verifikimin e gjendjes pasurore të personave zyrtarë, si dhe sfidat në këtë fushë.
Dita e parë u përmbyll me një takim me përfaqësuesit e Gjykatës Shtetërore të Auditimit të Sllovenisë, dr. Peter Premrl, këshilltar i zëvendëses së kryetarit, dhe mr. Masha Zheleznik, zëvendës i auditorit të përgjithshëm shtetëror, të cilët prezantuan punën e Gjykatës Shtetërore të Auditimit, me theks në shkëmbimin e gjetjeve të auditimit, treguesit e rreziqeve nga korrupsioni dhe informacionet për dyshimet lidhur me parregullsitë e konstatuara.
Dita e dytë e vizitës iu kushtua prezantimit të katër fushave të rëndësishme të punës së Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit të Sllovenisë, përkatësisht sistemit për mbrojtjen e sinjalizuesve, mbikëqyrjes së lobimit, zgjidhjeve digjitale për forcimin e transparencës, si dhe aktiviteteve për avancimin e integritetit institucional dhe personal. U prezantuan përvojat praktike, praktikat e mira dhe sfidat me të cilat përballet Komisioni në këto fusha.
Në fund të pjesës zyrtare të vizitës studimore, KSHPK realizoi takim me Peter Malenshek, sekretar i përgjithshëm i Transparency International Slovenia, i cili prezantoi rolin e organizatës së tij dhe u ndal te rëndësia e institucioneve të pavarura mbikëqyrëse dhe e shoqërisë civile aktive për forcimin e sundimit të ligjit dhe parandalimin e korrupsionit.














