U mbajt tryeza e tretë e rrumbullakët për lobim me përfaqësues nga njësitë e vetëqeverisjes lokale
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me projektin “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”, më 28 prill 2026 organizoi tryezën e tretë të rrumbullakët me temë “Lobimi në Maqedoninë e Veriut”, të dedikuar për përfaqësuesit e njësive të vetëqeverisjes lokale.
Ngjarja u realizua në kuadër të serisë së tryezave tematike të rrumbullakëta, që kanë për qëllim nxitjen e një debati më të gjerë institucional dhe publik mbi rëndësinë e praktikave transparente, etike dhe llogaridhënëse të lobimit, në përputhje me Ligjin për lobimin.

Gjatë diskutimit u theksua se njësitë e vetëqeverisjes lokale kanë rol kyç në zbatimin praktik të parimeve të transparencës dhe integritetit në lobim, duke pasur parasysh se ato përfaqësojnë pikën e parë të kontaktit me qytetarët dhe komunitetin e biznesit. Në këtë drejtim, pjesëmarrësit treguan kuptim të qartë për rëndësinë e lobimit si një proces legjitim i përfaqësimit të interesave, por edhe për nevojën e zbatimit të tij të qëndrueshëm dhe efektiv në përputhje me kornizën ligjore.
Në të njëjtën kohë, u theksua se lobimi transparent dhe i rregulluar kontribuon në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet lokale, si dhe në përmirësimin e proceseve të vendimmarrjes në nivel lokal.
Në kuadër të ngjarjes, pjesëmarrësit patën mundësi të ndjekin prezantimet e ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvoja dhe praktika të mira nga konteksti evropian, me theks të veçantë në rolin e nivelit lokal në rregullimin dhe menaxhimin e lobimit.
Mendimet, propozimet dhe përfundimet e shkëmbyera në këtë tryezë të rrumbullakët do të merren parasysh nga grupi i punës, i cili ka për qëllim sistematizimin e tyre dhe integrimin në aktivitetet e mëtejshme për përmirësimin e politikave dhe praktikave në fushën e lobimit.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të vazhdojë me aktivitete të drejtuara drejt forcimit të transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në lobim, si një segment i rëndësishëm i parandalimit të korrupsionit dhe avancimit të qeverisjes së mirë në të gjitha nivelet.










