KOMISIONI SHTETËROR PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT HAP PROCESIN KONSULTATIV PËR STRATEGJINË KOMBËTARE 2026–2030
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) njofton opinionin publik se po fillon procesi konsultativ për Propozim-Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030, me planin e veprimit për zbatimin e saj.
Në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, KSHPK është institucioni kompetent për përgatitjen dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare pesëvjeçare, si një dokument kyç strategjik për parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e integritetit institucional.
Gjatë vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026, KSHPK-ja realizoi një proces gjithëpërfshirës për përgatitjen e strategjisë së re, i cili përfshiu hartimin e metodologjive, vlerësimin e rreziqeve nga korrupsioni, analiza sektoriale, si dhe një proces të gjerë konsultativ dhe ekspertësh me përfaqësues të institucioneve, organizatave civile, sektorit privat, mediave dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në kuadër të procesit u organizuan 21 punëtori njëditore për përcaktimin e rreziqeve prioritare nga korrupsioni, definimin e masave dhe aktiviteteve, si dhe identifikimin e institucioneve kompetente për zbatimin e tyre.
Strategjia Kombëtare 2026–2030 është e fokusuar në fusha me rrezik të lartë nga korrupsioni, ndër të cilat:
- prokurimet publike;
- mbikëqyrja mbi zbatimin e ligjeve;
- gjyqësori;
- planifikimi hapësinor dhe urbanistik;
- transporti dhe projektet infrastrukturore;
- shëndetësia;
- mjedisi jetësor, energjetika dhe burimet natyrore.
KSHPK vlerëson se përfshirja e publikut është pjesë thelbësore e krijimit të politikave efektive dhe të qëndrueshme kundër korrupsionit, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit.
Procesi konsultativ do të zgjasë nga 26 maji deri më 08 qershor 2026, periudhë gjatë së cilës të gjitha institucionet, organizatat, ekspertët dhe qytetarët e interesuar do të mund të dorëzojnë komentet, propozimet dhe rekomandimet e tyre lidhur me tekstin e Propozim-Strategjisë Kombëtare, të disponueshme në LINKUN e mëposhtëm për shkarkim.
Komentet dhe propozimet mund të dërgohen në adresën elektronike:
nacionalnastrategija@dksk.org.mk
KSHPK i fton të gjitha palët e interesuara që të përfshihen në mënyrë aktive në proces dhe të kontribuojnë në krijimin e një sistemi efikas dhe të zbatueshëm për parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.











