NJOFTIM PËR PUBLIKUN
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), në përputhje me kompetencat e saj të përcaktuara me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, rregullisht monitoron nëse respektohet detyrimi ligjor për paraqitjen e deklaratës për gjendjen pronësore dhe interesave, si dhe ndalimi ligjor për ushtrimin e njëkohshëm të më shumë funksioneve të cilat, në përputhje me ligjin, janë të papajtueshme.
Gjegjësisht, KSHPK, pas kontrollit të fundit në mjetin administrativ për paraqitjen elektronike të deklaratave për gjendjen pronësore dhe interesave, ka konstatuar se pesë persona ushtrojnë njëkohësisht dy funksione. Për këtë arsye, për këta persona do të hapen lëndë, me ç’rast, pas konstatimit të gjendjes faktike, nëse vërtetohet se bëhet fjalë për funksione të papajtueshme, atyre do t’u kërkohet të heqin dorë nga njëri prej funksioneve që ushtrojnë. Njëkohësisht, KSHPK-ja do të iniciojë procedura kundërvajtëse për kundërvajtje në përputhje me nenin 44 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, e dënueshme sipas nenit 105 të të njëjtit ligj.
Gjithashtu, e njoftojmë opinionin publik se KSHPK, pas kontrollit të kryer të botimeve të “Gazetës Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” për muajin mars 2026, si dhe pas shqyrtimit të evidencës së saj, konstatoi se gjithsej 38 persona, të cilët gjatë muajit mars 2026 janë zgjedhur, emëruar ose shkarkuar nga funksioni, nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për paraqitjen e deklaratës për gjendjen pronësore dhe interesave në KSHPK brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Kundër këtyre personave, KSHPK do të iniciojë procedura për kundërvajtjen e kryer në përputhje me nenin 82 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, e dënueshme sipas nenit 109 të të njëjtit ligj.











