NJOFTIM
Në lidhje me informacionet dhe reagimet publike që lidhen me Propozim-ligjin për realizimin e projektit „Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028“, si dhe me çështjet që ngrihen në lidhje me menaxhimin e mjeteve publike dhe procedurat për shpenzimin e tyre, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) thekson sa vijon:
Sigurimi i integritetit, ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies gjatë shpenzimit të mjeteve publike përbën një parakusht bazë për mbrojtjen e interesit publik dhe për parandalimin e rreziqeve nga korrupsioni.
Çdo zgjidhje ligjore me të cilën parashihet përjashtimi ose kufizimi i zbatimit të ligjeve sistemike, veçanërisht të Ligjit për Prokurimet Publike, duhet të jetë e arsyetuar qartë, në mënyrë të detajuar dhe bindëse nga aspekti i interesit publik, domosdoshmërisë së një përjashtimi të tillë, proporcionalitetit të tij, si dhe vendosjes së mekanizmave efektivë për parandalimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të mjeteve publike.
Zbatimi i parimeve të transparencës, trajtimit të barabartë, konkurrencës së lirë dhe të ndershme, ekonomizimit, llogaridhënies, integritetit dhe kontrollit efektiv nuk guxon të vihet në pyetje, pavarësisht nga forma institucionale përmes së cilës do të realizohet projekti apo nga rëndësia e tij.
Theksojmë se Ligji për Prokurimet Publike mundëson:
- rregulla dhe kritere të qarta, transparente dhe të përcaktuara paraprakisht për përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë;
- sigurimin e konkurrencës së vërtetë dhe të qasjes së barabartë për subjektet e interesuara;
- mbikëqyrje të pavarur dhe efektive mbi procedurat e përzgjedhjes dhe lidhjes së kontratave;
- mbrojtje adekuate juridike për operatorët ekonomikë;
- detyrimin për publikimin e thirrjeve, kritereve të përzgjedhjes, kontratave të lidhura, ndryshimeve të tyre dhe realizimit të kontratave, përveç në rastet kur me ligj është e përcaktuar ndryshe;
- mekanizma për parandalimin dhe menaxhimin e konfliktit të interesave, si dhe rregulla që do të sigurojnë paanshmëri, objektivitet dhe integritet në procesin e vendimmarrjes.
Nëse ligjvënësi vlerëson se është e domosdoshme miratimi i një zgjidhjeje të veçantë ligjore për realizimin e projektit, KSHPK-ja thekson se ajo duhet të përmbajë mekanizmat e përcaktuar me Ligjin për Prokurimet Publike, të cilët garantojnë integritetin, ligjshmërinë, transparencën, ekonomizimin dhe llogaridhënien publike.
Në përputhje me kompetencat e saj ligjore, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, edhe në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030, e ka identifikuar miratimin e ligjeve me procedurë të shkurtuar, me të cilat anashkalohet zbatimi i ligjeve sistemike, si rrezik të lartë nga korrupsioni dhe ka propozuar masa dhe aktivitete për tejkalimin e tyre.
Për më tepër, vlerësojmë se zgjidhje të tilla të rëndësishme ligjore nevojitet që paraprakisht dhe me detyrim t’i dërgohen KSHPK-së për shqyrtim nga aspekti i rreziqeve të korrupsionit.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit











