KSHPK-JA NËNSHKROI MEMORANDUM BASHKËPUNIMI ME AGJENCINË PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT TË KOSOVËS
Sot, në hapësirat e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet KSHPK-së dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit të Kosovës (APK).
Memorandumin e nënshkruan kryetari i KSHPK-së, z. Adem Çuçul, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Parandalimin e Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj.
Memorandumi ka për qëllim të zyrtarizojë dhe avancojë bashkëpunimin ndërmjet KSHPK-së dhe APK-së, me synim shkëmbimin e përvojave në fushat që lidhen me hetimin dhe parandalimin e korrupsionit, origjinën dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave, parandalimin e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik, si dhe mbrojtjen e denoncuesve.
Gjatë takimit që u zhvillua para nënshkrimit të memorandumit, përfaqësuesit e të dy institucioneve vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se formalizimi i këtij memorandumi do të kontribuojë në forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira, në funksion të parandalimit të korrupsionit, rritjes së integritetit dhe promovimit të qeverisjes së mirë në të dy shtetet.














