U MBAJTËN TAKIME KONSULTATIVE PËR PËRPILIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT DHE KONFLIKTIT TË INTERESIT 2026–2030
Në kuadër të aktiviteteve për përgatitjen e Strategjisë së re Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka nisur fazën e takimeve konsultative për secilën nga shtatë fushat, pra sektorët që do të përfshihen në Strategjinë e re Kombëtare.
Gjatë javës së kaluar të punës u mbajtën takime konsultative tematike, në të cilën ishin të ftuar pjesëmarrës nga organet shtetërore, institucionet, shoqatat, fondacionet dhe sektori privat, në të cilën, bazuar në rreziqet e korrupsionit të konstatuara më herët, por edhe në bazë të përvojës së pjesëmarrësve në sektorin/fushën përkatëse, u përcaktuan vizioni, synimet strategjike dhe problemet kyçe për secilën nga shtatë fushat dhe sektorët e identifikuar, të cilat do të jenë fokusi kryesor dhe udhërrëfyesi për zbatimin e fazës së ardhshme të përgatitjes së Strategjisë Kombëtare.
Në përputhje me Metodologjinë për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare 2026–2030, Komisioni Shtetëror në periudhën pesëvjeçare që vijon do të fokusohet në dy fusha horizontale: Prokurimet publike dhe Mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, si dhe në pesë sektorë vertikalë: Sistemi gjyqësor, Shëndetësia, Urbanizimi dhe planifikimi hapësinor, Mjedisi jetësor, energjetika dhe burimet natyrore, si dhe Transporti dhe objektet infrastrukturore
Në periudhën e ardhshme, Komisioni Shtetëror do të mbajë gjithsej 14 punëtori njëditore, nga dy për secilën fushë, në të cilat do të identifikohen problemet prioritare që gjenerojnë nivel të lartë korrupsioni. Për kapërcimin e tyre do të krijohen masa dhe aktivitete konkrete, si dhe do të përcaktohen institucionet përgjegjëse për realizimin e tyre.
I gjithë procesi për zhvillimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026-2030 realizohet në bashkëpunim dhe me mbështetjen e partnerëve dhe mbështetësve shumëvjeçarë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit: Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim, Misioni i OSBE-së në Shkup, projekti ‘Komunitete me Integritet’, i financuar nga qeveritë e Zvicrës dhe Suedisë dhe i zbatuar nga Instituti Kombëtar Demokratik, si dhe projekti ‘Mbështetja e BE-së për Sundimin e Ligjit’, i financuar nga Bashkimi Evropian.























