KSHPK MBAJTI TAKIM PUNE ME PLATFORMËN E ORGANIZATAVE CIVILE PËR LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) mbajti takim konstruktiv me Platformën e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftën kundër Korrupsionit, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë në disa aktivitete të përbashkëta me rëndësi për luftën kundër korrupsionit.

Në takim u theksua rëndësia e përmbushjes së hapave përfundimtarë për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit 2026–2030 (SK 2026–2030). KSHPK-ja informoi se është e përkushtuar në finalizimin dhe miratimin e Strategjisë deri në fund të muajit mars 2026, ndërsa para miratimit do të mundësohet publikimi i dokumentit për shqyrtim publik dhe një fazë e hapur konsultimesh me të gjithë palët relevante, me qëllim sigurimin e transparencës dhe përfshirjes aktive të sektorit civil.
Në kuadër të diskutimit u hapën edhe çështje që lidhen me nevojën për një rol më të fuqizuar, aktiv dhe proaktiv të KSHPK-së në ndryshimet aktuale të planifikuara të disa ligjeve kyçe, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sundimin e ligjit dhe parandalimin e korrupsionit, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve ligjore të ndërlidhura me agjendën reformuese. Në këtë drejtim, u theksua edhe roli i KSHPK-së në monitorimin horizontal dhe koordinimin e progresit në zbatimin e proceseve reformuese.
Palët u pajtuan se KSHPK-ja duhet në mënyrë institucionale dhe proaktive ta artikulojë qëndrimin dhe pjesëmarrjen e saj në këto procese, përmes komunikimit formal me Ministrinë e Drejtësisë për përfshirjen e KSHPK-së në grupet përkatëse të punës dhe sigurimin e një pasqyre në kohë dhe transparente mbi statusin aktual të proceseve ligjore.

Si pjesë e bashkëpunimit të ardhshëm ndërsektorial, KSHPK-ja dhe Platforma ranë dakord për vendosjen e bisedimeve mujore, me qëllim koordinimin e rregullt, monitorimin e progresit dhe shkëmbimin në kohë të informacionit në lidhje me aktivitetet e dakorduara dhe proceset ligjore.
KSHPK-ja e konfirmon përkushtimin e saj ndaj transparencës, llogaridhënies dhe partneritetit me sektorin civil dhe mbetet e hapur për një dialog dhe bashkëpunim të vazhdueshëm dhe konstruktiv në luftën kundër korrupsionit.









