U mbajt tryeza e dytë e rrumbullakët për lobim me përfaqësues nga institucionet e pushtetit qendror
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me projektin „Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit“, më 20 prill në Klubin e Deputetëve në Shkup, mbajti tryezën e dytë të rrumbullakët me temë „Lobimi në Maqedoninë e Veriut“, e dedikuar për përfaqësuesit e institucioneve të pushtetit qendror.

Ngjarja u realizua në kuadër të serisë së tryezave tematike të rrumbullakëta, me qëllim të nxitjes së një debati më të gjerë institucional dhe publik për rëndësinë e praktikave transparente, etike dhe të përgjegjshme të lobimit, në përputhje me Ligjin për lobim.

Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit theksuan nevojën për veprim më të fuqishëm dhe mbështetje të vazhdueshme nga ana e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, veçanërisht në pjesën e dhënies së udhëzimeve, rritjes së ndërgjegjësimit, zbatimit praktik të kornizës ligjore dhe forcimit të kapaciteteve institucionale. Me këtë rast, u pranua se lobimi nuk duhet të shihet vetëm si çështje rregullatore, por edhe si një segment i rëndësishëm i integritetit institucional. Menaxhimi transparent i kontakteve, përfaqësimi i interesave dhe vendimmarrja përbëjnë pjesë përbërëse të qeverisjes së mirë, llogaridhënies dhe ndërtimit të besimit në institucione.
Në kuadër të ngjarjes, të pranishmit patën mundësinë të ndjekin prezantimet e ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvoja dhe praktika nga shtete të tjera evropiane lidhur me rregullimin, monitorimin dhe kulturën institucionale të lidhur me lobimin. Qëndrimet, propozimet dhe rekomandimet e shkëmbyera nga kjo tryezë e rrumbullakët, si dhe nga ngjarjet e tjera në kuadër të fushatës, do të merren në konsideratë nga grupi punues në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim shqyrtimin e mëtejmë dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet dhe politikat e ardhshme në këtë fushë, përkatësisht në ndryshimin dhe përmirësimin e Ligjit për lobim.

Në kuadër të fushatës, pritet të mbahen edhe dy tryeza të tjera tematike të rrumbullakëta, përkatësisht me përfaqësues nga njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe me përfaqësues të mediave dhe sektorit civil. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit mbetet i përkushtuar në avancimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në proceset e lobimit, si një pjesë e rëndësishme e parandalimit të korrupsionit dhe forcimit të qeverisjes demokratike.










