Kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçul, mori pjesë në Forumin SELDI 2026 në Podgoricë
Kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, mori pjesë si folës në Forumin SELDI 2026 në Podgoricë, Mal të Zi, kushtuar temës „Ndërtimi i qëndrueshmërisë demokratike në Ballkanin Perëndimor – nga kapja e shtetit deri te sovraniteti digjital“.
Forumi, i organizuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe rrjeti rajonal SELDI, mblodhi përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, vendimmarrës, ekspertë kundër korrupsionit dhe të sigurisë, organizata të shoqërisë civile dhe studiues nga Evropa Juglindore. Forumi i këtij viti u mbajt si ngjarje shoqëruese e takimit të ministrave të punëve të brendshme në kuadër të Procesit të Berlinit.
Kryetari Çuçul iu drejtua panel-diskutimit „Përballja me kapjen e shtetit në Ballkanin Perëndimor – reformat kundër korrupsionit dhe qëndrueshmëria institucionale“, në të cilin u diskutua për sfidat me të cilat përballen institucionet kundër korrupsionit gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre të gjera.
Në fjalën e tij, ai theksoi se mandati i gjerë i KSHPK-së është njëkohësisht edhe fuqia e saj, por edhe një sfidë serioze. KSHPK-ja duhet të veprojë në kohë për raste konkrete, por edhe të identifikojë shkaqet dhe dobësitë në sistem që mundësojnë përsëritjen e dukurive korruptive. Prandaj, është i nevojshëm një ekuilibër i kujdesshëm ndërmjet veprimit për rastet konkrete, parandalimit, edukimit, analizës së legjislacionit, monitorimit të politikave kundër korrupsionit dhe ndërtimit të integritetit institucional.
Duke iu referuar Procesit të Berlinit dhe agjendës evropiane të reformave, kryetari Çuçul theksoi se bashkëpunimi rajonal, ndërlidhja ekonomike, zhvillimi i infrastrukturës dhe lufta kundër krimit të organizuar nuk janë të mundshme pa institucione profesionale, të pavarura dhe të qëndrueshme, të cilat i zbatojnë ligjet në mënyrë të paanshme dhe e mbrojnë interesin publik.
Pjesëmarrja e kryetarit Çuçul në Forumin SELDI përbën kontributin e KSHPK-së në dialogun rajonal, shkëmbimin e përvojave dhe përpjekjet e përbashkëta për parandalimin e korrupsionit, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e reformave që lidhen me Procesin e Berlinit dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.













