TË RINJTË PËR INTEGRITET – NGA ZËRI I TË RINJVE DERI TE NDRYSHIMET INSTITUCIONALE
“Ndershmëria personale duhet të mbështetet me rregulla të qarta, vendimmarrje transparente, mekanizma të qasshëm për denoncim dhe përgjegjësi për shkeljet. Në këtë duhet të marrim pjesë të gjithë: KSHPK-ja, institucionet arsimore, shkollat, mësimdhënësit, prindërit, organizatat rinore dhe nxënësit, secili brenda rolit të vet.
Integriteti më së miri mësohet kur nxënësit shohin se të njëjtat rregulla vlejnë për të gjithë, se puna vlerësohet dhe se institucionet reagojnë kur rregullat shkelen.
Të rinjve duhet t’u ndihmojmë të besojnë se zëri i tyre ka rëndësi. Këtë besim do ta ndërtojmë më së miri kur të tregojmë se i dëgjojmë dhe veprojmë. Ndryshimi fillon me secilin prej nesh dhe bëhet i qëndrueshëm kur të gjithë marrim përgjegjësinë tonë.”
Këtë e theksoi kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, në forumin kombëtar “Të rinjtë për integritet – Nga zëri i të rinjve deri te ndryshimet institucionale”, i organizuar në kuadër të aktivitetit përmbyllës të projektit “Të rinjtë për integritet: Zgjerimi i aktiviteteve kundërkorrupsion të të rinjve”, i realizuar nga organizata think-tank Analitika, me mbështetjen financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë.
Në ngjarje u promovua një doracak që u ndihmon nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve të njohin korrupsionin dhe parregullsitë në arsim, si dhe një mjet digjital – aplikacioni „Zëri kundër korrupsionit”, përmes të cilit ata mund t’i raportojnë rastet në mënyrë të sigurt pranë institucioneve kompetente.













