Bashkëpunim në drejtim të përmirësimit të integritetit në procesin zgjedhor
Më 14 korrik 2025, në hapsirat e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, u mbajt takim pune midis Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Komisionit Shtetëror Zgjedhor, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Misioni i OSBE-së në Shkup.
Takimi ishte i përkushtuar thellimit të bashkëpunimit midis dy institucioneve, me fokus të veçantë në çështjet që lidhen me integritetin në procesin zgjedhor. Përfaqësuesit e KSHZ-së paraqitën çështje dhe dilema me të cilat përballen, që lidhen me mundësinë e konfliktit të interesit te anëtarët e organeve zgjedhore. Në këtë drejtim, anëtarët e KSHPK-së theksuan rëndësinë që organet zgjedhore të jenë të informuara me kohë dhe të jenë të vetëdijshme në mënyrë të vazhdueshme për detyrimin e tyre ligjor për të raportuar çdo konflikt të mundshëm interesi, veçanërisht në periudhën parazgjedhore dhe zgjedhore që po afrohet.
U diskutua për nevojën e formalizmit të bashkëpunimit të ndërsjellë përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi, me qëllim që të sigurohet veprim i shpejtë dhe i koordinuar në rastet e një konflikti të mundshëm interesi dhe situatave të tjera që kërkojnë vlerësim urgjent dhe reagim institucional.
Në takim morën pjesë aktive anëtarë dhe përfaqësues nga të dy institucionet, së bashku me përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Shkup, të cilët gjithashtu shprehën mbështetje për iniciativat dhe për përmirësimin e mëtejshëm të integritetit zgjedhor në vend.




