Forcimi i transparencës në financimin e fushatave politike
Përfaqësues të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit morën pjesë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, në të cilën u diskutua për përmirësimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kompetente për monitorimin dhe kontrollin e financimit të fushatave politike.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të disa institucioneve relevante, të cilët shkëmbyen mendime dhe përvoja lidhur me mekanizmat ekzistues të raportimit financiar dhe mbikëqyrjes. Në kuadër të diskutimit u shqyrtuan sfidat me të cilat përballen institucionet në procesin e monitorimit të financimit të fushatave zgjedhore, si dhe mundësitë për tejkalimin e tyre përmes zgjidhjeve praktike dhe të qëndrueshme.
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Zoran Bogojevski, theksoi rëndësinë e përmirësimit të mëtejshëm të transparencës në financimin e aktiviteteve politike, si dhe nevojën për forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kompetente.
U vu theks i veçantë mundësive për zhvillimin e një platforme elektronike që do të mundësojë dorëzimin, përpunimin dhe analizën e standardizuar të të dhënave lidhur me financimin e fushatave politike. Një sistem i tillë do të kontribuonte në transparencë më të madhe, kontroll më efikas të rrjedhave financiare dhe qasje më të mirë në informacionet relevante.
Pjesëmarrësit diskutuan edhe për hapat e nevojshëm për digjitalizimin e mëtejshëm të proceseve, përfshirë edhe ndryshime të mundshme ligjore, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me qëllim përmirësimin e sistemit të mbikëqyrjes së financimit politik.
Këto aktivitete kontribuojnë në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në sistemin politik, si dhe në avancimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin e korrupsionit.












