Kanë filluar aktivitetet për përgatitjen e Strategjisë së re Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe të Konfliktit të Interesit 2026–2030
Gjatë periudhës 6–8 maj 2025, në ambientet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit u mbajtën takimet fillestare me ekspertin ndërkombëtar Konstantin Palikarski, si dhe me dy ekspertë kombëtarë, Aleksandar Naumovski dhe Marina Serafimovska, të angazhuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), me qëllim shqyrtimin e aktiviteteve për mbështetjen e Komisionit Shtetëror në procesin e përgatitjes së Strategjisë së re pesëvjeçare Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030 (NS2026–2030).
Në takime, përveç përfaqësuesve të Komisionit Shtetëror dhe ekspertëve, morën pjesë edhe Aleksandar Gjorgjeviq nga UNODC, udhëheqësi i komponentës nga projekti “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”, Roman Prah, si dhe Aleksandra Krsteva nga zyra e Institutit Kombëtar për Demokraci (NDI).
Nënkryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, mr. Biljana Karakashova Shulev, fillimisht shprehu mirënjohje ndaj UNODC-së dhe partnerëve të tjerë, të cilët në mënyrë të vazhdueshme ofrojnë mbështetje për Komisionin në zbatimin e përkushtuar dhe efikas të kompetencave të tij. Ajo u ndal edhe te sfidat e ardhshme me të cilat përballet Komisioni Shtetëror gjatë procesit të përgatitjes së Strategjisë Kombëtare 2026–2030 (NS2026–2030). Ajo prezantoi shkurtimisht planin e miratuar të aktiviteteve për përgatitjen e NS2026–2030, si dhe detyrimet ligjore që Komisioni duhet të ndërmarrë në funksion të hartimit të Strategjisë Kombëtare.
Si aktivitete të para dhe fillestare nga plani i përmendur janë: Hartimi i Metodologjisë për Vlerësimin e Rreziqeve nga Korrupsioni, Përgatitja e Vlerësimit të Rreziqeve nga Korrupsioni, si dhe Përgatitja e metodologjisë për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030. Këto tre aktivitete do të realizohen me mbështetje ekspertësh nga UNODC dhe do të përcaktojnë drejtimin dhe formën e gjeneratës së ardhshme të strategjisë kombëtare, duke shërbyer si bazë për aktivitetet e mëtejshme në përgatitjen e këtij dokumenti strategjik.
Ekspertët prezantuan vizionet dhe mendimet e tyre lidhur me qasjen për hartimin e strategjisë së re, me një fokus të veçantë te tre aktivitetet e para nga plani operativ.
Të gjithë të pranishmit shprehën përkushtimin e tyre për hartimin e një Strategjie Kombëtare të cilësisë së lartë dhe me mundësi reale zbatimi.


