Komisioni Shtetëror për Parandalimin e korrupsionit nënshkroi Memorandum Bashkëpunimi me Misionin e OSBE-së
Me qëllim të forcimit të politikave dhe veprimeve anti-korrupsion në Maqedoninë e Veriut, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Misioni i OSBE-së në Shkup sot nënshkruan Memorandum të Mirëkuptimit.
Si pjesë e kësaj Marrëveshjeje, Misioni do të sigurojë ndihmë për zbulimin dhe trajtimin e rreziqeve të korrupsionit, promovimin e politikave anti-korrupsion të bazuara në prova dhe forcimin e sistemit të integritetit të Maqedonisë së Veriut.
Marrëveshja e nënshkruar sot përputhet me bashkëpunimin e gjatë midis KSHPK-së dhe Misionit. Misioni ndihmoi në vendosjen e sistemit të ri të integritetit përmes Ligjit të ri për Parandalimin e Korrupsionit, një mekanizëm që siguron sjellje etike të mbajtësve të funksioneve, përfaqësuesve të zgjedhur, si dhe stafit administrativ në sektorin publik.
“Në vitet e fundit, Misioni i OSBE-së në Shkup ka qenë një partner i rëndësishëm për Komisionin dhe organet e tjera kombëtare në luftën kundër korrupsionit. Besoj se së bashku mund të kontribuojmë në zvogëlimin e korrupsionit dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet duke forcuar integritetin dhe përmirësimin e legjislacionit kombëtar”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK-së.
“Përmes partneritetit tonë me Komisionin, duam të forcojmë mekanizmat parandalues duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të përfshira në luftën kundër korrupsionit. Ne besojmë në një shoqëri të drejtë ku integriteti individual dhe kualifikimet personale janë të vetmit faktorë vendimtarë”, tha Kilian Val, Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.