KSHPK DEMANTON POHIMET E PASAKTA TË PUBLIKUA NGA MEDIAT
I nderuar publik,
Radiodifuzori me koncesion kombëtar, Televizioni Telma, sot publikoi një artikull me titull: „A ka konflikt interesi në KSHPK?“ nga gazetari Miomir Serafinoviq.
Në lidhje me këtë, dëshirojmë të sqarojmë për publikun se pohimet e përfshira në artikull janë të pavërteta dhe të paverifikuara.
Përkatësisht, anëtarja e KSHPK-së, Cveta Ristovska, nuk ka dy pozita në jetën publike, siç spekulohet në artikull. Cveta Ristovska ka diplomuar në Universitetin „Shën Kirili dhe Metodi“ – Fakulteti Ekonomik në Shkup në vitin 1991 dhe ka magjistruar në Universitetin për Turizëm dhe Menaxhim – Shkenca Ekonomike, në vitin 2011. Ajo që figuron në faqen e internetit të KSHPK-së në pjesën e biografisë së saj, se studimet magjistrale janë të vazhdueshme, është një gabim teknik. Po të kishin kontaktuar me ne ose me anëtaren e KSHPK-së, Cveta Ristovska, siç e kërkojnë standardet dhe etika gazetareske, kjo do të ishte sqaruar.
Po ashtu, nuk është e vërtet pohimi se numri i telefonit celular të Cveta Ristovskës është i fikur dhe nuk ekziston. Media nuk e ka kontaktuar fare anëtaren Cveta Ristovska në numrin e saj të telefonit celular të shërbimit, si burim i dytë informacioni, siç kërkojnë standardet profesionale.
Të gjithë anëtarët e KSHPK-së vazhdimisht i kushtojnë vëmendje të veçantë mundësisë për një konflikt interesi dhe janë plotësisht të njohur me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, si dhe me Kodin Etik të KSHPK-së.
Media Televizioni Telma përhap vetëm pohime në artikull, të tilla si se anëtarja Cveta Ristovska është fotografuar me rektorin e Universitetit të Shkupit dhe se është angazhuar si pjesë e stafit akademik të Universitetit, të cilat janë plotësisht spekulative, manipulative dhe nuk korrespondojnë fare me objektin e procedurës para KSHPK-së.
Me këto pohime, media vetëm po përpiqet ta mashhtrojë publikun duke sugjeruar se pas kësaj vendimi qëndrojnë interesa të tjera spekulative, dhe jo e drejta dhe ligjshmëria.
Anëtari i KSHPK-së nuk ka asnjë lidhje biznesore me Universitetin e Shkupit, kështu që nuk mund të ketë konflikt interesi me veprimet e saj në këtë çështje, për shkak se Universiteti i Shkupit nuk është subjekti i procedurës para KSHPK-së. Për më tepër, Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka kryer një inspektim të jashtëzakonshëm në Universitetin e Shkupit për të verifikuar pohimet në ankesën kundër drejtorit të ANB-së, Bojan Hristovski. Pas përfundimit të inspektimit, është konstatuar se diploma e tij është në rregull. Vendimi për z. Bojan Hristovski është marrë njëzëri.
Për cilin konflikt të mundshëm interesi po flasim, kur mbikëqyrja është kryer nga një organ tjetër??!
Të nderuar media, ne si anëtarë të KSHPK-së jemi të vetëdijshëm që vazhdimisht jemi nën vëzhgim dhe mbikëqyrje nga publiku, diçka që e respektojmë dhe e vlerësojmë maksimalisht. Ky lloj mbikëqyrje vetëm sa kontribuon më tej në transparencën e punës së KSHPK-së.
Për tërë periudhën nga konstituimi i përbërjes së re të KSHPK-së, ne gjithmonë kemi qenë të hapur për çdo pyetje nga mediat. Dhe në rastin konkret, nëse Televizioni Thelma do të kishte ardhur dhe do të na ishte drejtuar ne do t’u përgjigjeshim të gjitha pyetjeve.
KSHPK-ja dërgoi një demant te Televizioni Telma dhe kërkoi që të publikohet në tërësi.
Prandaj, ne kërkojmë nga të gjithë mediat që të respektojnë integritetin, profesionalizmin dhe kompetencat e çdo anëtari të KSHPK-së.
Me respekt,
KOMISIONI SHTETËROR PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT