KSHPK-ja dhe Byroja për Prokurime Publike nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi
Sot, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Byroja për Prokurime Publike nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin vendoset një kornizë për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e parandalimit të korrupsionit dhe forcimin e integritetit në procedurat e prokurimit publik.
Memorandumi u nënshkrua nga kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçul, dhe drejtoresha e Byrosë për Prokurime Publike, Mare Bogeva Micovska.
Qëllimi i Memorandumit është të avancohet koordinimi ndërmjet dy institucioneve përmes shkëmbimit të përvojave, informacioneve dhe praktikave të mira, si dhe përmes realizimit të aktiviteteve të përbashkëta për edukim, trajnim dhe zhvillim të politikave të orientuara drejt forcimit të integritetit dhe parandalimit të korrupsionit.
Në kuadër të bashkëpunimit të paraparë, KSHPK-ja dhe Byroja për Prokurime Publike do të punojnë në organizimin e trajnimeve dhe punëtorive të përbashkëta, shkëmbimin e informacioneve brenda kompetencave ligjore, ndarjen e praktikave të mira, si dhe avancimin e njohurive dhe kapaciteteve të institucioneve për identifikimin dhe parandalimin e rreziqeve të korrupsionit në procedurat e prokurimit publik.
Me nënshkrimin e Memorandumit, të dy institucionet riafirmojnë përkushtimin e tyre për thellimin e partneritetit institucional dhe ndërmarrjen e aktiviteteve konkrete për avancimin e sistemit për parandalimin e korrupsionit, forcimin e integritetit dhe ndërtimin e institucioneve që veprojnë në interes të qytetarëve.















