KSHPK-ja e mori në administrim Platformën për Regjistrin e Dhuratave
Kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, dhe Oleg Soldatov, udhëheqës në Zyrën Programore të Këshillit të Evropës në Shkup, nënshkruan aktin për dorëzimin zyrtar të Platformës për Regjistrin e Dhuratave.
Platforma është zhvilluar në kuadër të Projektit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës kundër krimit ekonomik në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ka për qëllim mbështetjen e proceseve të regjistrimit dhe raportimit të dhuratave nga ana e zyrtarëve publikë dhe të punësuarve në institucionet shtetërore.
Me vendosjen platformës digjitale të centralizuar dhe të sigurt, mundësohet menaxhim më efikas, më i saktë dhe më konsistent i Regjistrit të Dhuratave, çka përbën një hap të rëndësishëm në parandalimin e konfliktit të interesit, avancimin e transparencës dhe forcimin e integritetit institucional.
Kryetari Adem Çuçul theksoi se “me vendosjen e këtij mjeti digjital forcohen transparenca, integriteti institucional dhe besimi i publikut në institucionet publike në respektimin e kufizimeve ligjore për pranimin e dhuratave. Përmes vendosjes së zgjidhjeve digjitale të qëndrueshme, forcohen kapacitetet institucionale të KSHPK-së në drejtim të zbatimit më efikas të kompetencave të saj ligjore.”
“Këshilli i Evropës me krenari i mbështet përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për promovimin e transparencës dhe qeverisjes së mirë. Përmes transferimit formal të kodit burimor të Katalogut të Dhuratave te Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, së bashku me trajnimin e synuar të realizuar për nëpunësit shtetërorë, kjo iniciativë forcon më tej përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e integritetit institucional dhe luftën kundër korrupsionit,” theksoi Oleg Soldatov, udhëheqës i Zyrës Programore të Këshillit të Evropës në Shkup.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit vazhdon me zbatimin e aktiviteteve të orientuara drejt përmirësimit të digjitalizimit, forcimit të integritetit institucional dhe rritjes së besimit të publikut në institucionet shtetërore.












