Pjesëmarrje e KSHPK-së në mbledhjen konstituive të Trupit Ndër-reso rial për koordinim të aktiviteteve kundër korrupsionit
Më 8 prill 2025, në Sallën Solemne të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt mbledhja konstituive e Trupit Ndër-resorial për koordinimin e aktiviteteve kundër korrupsionit. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i përfaqësuar nga kryetarja Tatjana Dimitrovska dhe anëtarët Biljana Karakashova Shulev, Servet Demiri dhe Zoran Bogoevski, si dhe këshilltari Sashko Kolev.
Mbledhjen e kryesoi Zëvendëskryeministri i Qeverisë i ngarkuar për politikat për qeverisje të mirë, Arbën Fetai. Në pjesën solemne fjalim mbajti edhe Kryeministri Hristijan Mickoski, Ambasadori i Bashkimit Evropian, Michaelis Rokas, Zëvendës-shefja e Misionit të Ambasadës së SHBA-ve, Nicole Varnes, dhe Ambasadori i OSBE-së, Kilian Wahl.
Përveç anëtarëve të trupit ndër-resorial, në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore, partnerë ndërkombëtarë dhe sektori civil.
Në kuadër të pjesës punuese, kryetarja e KSHPK-së prezantoi Raportin Vjetor për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2021–2025, për periudhën janar – dhjetor 2024. Theksi u vendos mbi shkallën e realizimit të aktiviteteve për vitin 2024, progresin e përgjithshëm nga viti 2021 deri në vitin 2024, si dhe përgatitjet për Strategjinë e re Kombëtare 2026–2030.
Gjetjet kryesore nga raporti:
- Nga gjithsej 154 aktivitete të parashikuara për vitin 2024, janë realizuar vetëm 28 (18%), 49 janë në proces (32%), ndërsa 77 aktivitete (50%) kanë mbetur të parealizuara.
- Në periudhën 2021–2024, nga gjithsej 284 aktivitete të vlerësuara, janë realizuar vetëm 89 (31%).
Gjithashtu, u prezantua Analiza e faktorëve që ndikojnë në shkallën e zbatimit të Strategjisë Kombëtare 2021–2025, me sfida të identifikuara të natyrës strukturore, organizative, rregullatore dhe procedurale. Ndër sfidat më të rëndësishme janë:
- Mungesa e vullnetit politik,
- Mospërmbushja e mjaftueshme e rolit mbikëqyrës nga Kuvendi dhe Qeveria,
- Mungesa e një strukture të përshtatshme organizative brenda KSHPK-së,
- Mungesa e planifikimit buxhetor gjatë hartimit të strategjisë.
Analiza përmban gjithashtu udhëzime konkrete për përmirësimin e zhvillimit dhe zbatimit të Strategjisë së re Kombëtare 2026–2030.
Të gjithë të pranishmit theksuan angazhimin e tyre për një luftë të pamëshirshme dhe të koordinuar kundër korrupsionit, të bazuar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe partneritetin me shoqërinë civile dhe komunitetin ndërkombëtar.





