Pjesëmarrje në Konferencën ndërkombëtare “Klikime, para dhe ndikim: rolet dhe përgjegjësitë e mediave online në zgjedhje”
Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Zoran Bogoevski dhe mr. Servet Demiri, morën pjesë në konferencën ndërkombëtare “Klikime, para dhe ndikim: rolet dhe përgjegjësitë e mediave online në zgjedhje”, e organizuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES).
Fokusi i konferencës ishte vënë te nevoja për mbikëqyrje të shtuar, llogaridhënie dhe transparencë në financimin e reklamimit politik të paguar në hapësirën digjitale, veçanërisht në prag të proceseve zgjedhore. Pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat rregullatore, etike dhe praktike në këtë fushë, duke theksuar domosdoshmërinë e reformave sistematike.
Në këtë ngjarje, anëtari i KSHPK-së, Zoran Bogoevski, mbajti një fjalim ku theksoi se mediat online nuk janë vetëm bartës kryesorë të informacionit, por edhe lojtarë të rëndësishëm në skenën politike. Për financimin e të njëjtave përdoren para publike, por nga ana tjetër, ato nuk janë të rregulluara si media tradicionale, nuk ekzistojnë rregulla të qarta për matjen e përmbajtjeve politike të të njëjtave, nuk janë të detyruara të ndjekin standarde etike dhe nuk kanë asnjë detyrim ndaj interesit publik.
Prandaj, është e domosdoshme rregullimi ligjor i funksionimit të mediave online dhe krijimi i mekanizmave për të garantuar transparencën e reklamimit politik përmes tyre, mbikëqyrjen efektive institucionale, si dhe parandalimin e përhapjes së dezinformatave dhe manipulimeve. “Sa më shumë që zhvillohen mediat online, aq më shumë rritet nevoja për rregullimin e tyre. Kjo nuk është një çështje e politikës mediatike – kjo është një çështje e drejtësisë, demokracisë dhe interesit publik,” shtoi Bogoevski.
Në ngjarje, përveç KSHPK-së, morën pjesë përfaqësues nga institucione të tjera relevante, ndër të cilët Stefan Andonovski, ministër për transformim digjital, përfaqësues nga Enti Shtetëror i Revizionit, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorphosis”, si dhe organizata dhe ekspertë të tjerë nga kjo fushë.


