Punëtori rajonale me temë: ”Integriteti në sektorin publik”
Sekretari i Përgjithshëm i KSHPK-së, Adem Çuçul, dhe Udhëheqësja e Sektorit për Planifikim Strategjik, Maja Konevska, morën pjesë në punëtorinë rajonale me temë: “Integriteti në sektorin publik”, e cila u mbajt në Budva, Mal i Zi, gjatë periudhës 25-26 qershor 2025, në organizim të ReSPA-s.
Gjatë punëtorisë u prezantuan gjetjet nga Draft-Analiza Rajonale e ReSPA-s për integritetin në sektorin publik. Analiza thekson problemet e vazhdueshme si zbatimi i dobët i rregulloreve për integritetin, mbrojtja e papërshtatshme e sinjalizuesve, ndërhyrjet politike dhe mungesa e transparencës në deklaratat e pasurisë.
Në kuadër të diskutimit në panel, i cili ishte i përkushtuar ndaj përvojave nga zbatimi i Sistemit të Integritetit në vendet e rajonit, Sekretari i Përgjithshëm Adem Çuçul u ndal te aktivitetet e ndërmarra nga KSHPK-ja gjatë periudhës së kaluar për promovimin dhe zbatimin e Politikës së Integritetit, aktivitetet e planifikuara për periudhën e ardhshme, si dhe te mundësitë dhe sfidat me të cilat përballet KSHPK-ja në fushën e promovimit të integritetit personal dhe institucional.
Punëtoria mblodhi përfaqësuesit kyç nga institucionet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, institucionet për trajnimin e administratës publike dhe ministritë e administratës publike nga i gjithë rajoni, së bashku me ekspertë nga Bashkimi Evropian dhe Franca.
Gjatë punëtorisë u promovua zyrtarisht fillimi i Komunitetit të Praktikës për Integritet në Sektorin Publik — një platformë bashkëpunimi për të mbështetur shkëmbimin e vazhdueshëm të përvojave, ndërtimin e kapaciteteve dhe zbatimin e rekomandimeve që dalin nga analiza e ReSPA-s.

