SHËNOHET DITA NDËRKOMBËTARE KUNDËR KORRUPSIONIT – NEVOJITET VEPRIM VENDIMTAR I PËRBASHKËT
09.12.2021, Shkup – Vetëm me veprim të përbashkët të institucioneve dhe mbështetje publike lufta kundër korrupsionit do të ketë efekt! Ky është mesazhi nga konferenca e mbajtur sot, me rastin e 9 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare kushtuar luftës kundër korrupsionit. Konferenca e mbajtur nën moton “Zgjidhni drejtimin e duhur – zgjidhni integritetin!” organizohet nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).
Në kuadër të konferencës Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit theksoi aktivitetet e realizuara deri më tani. Rritja e numrit të rasteve, digjitalizimi për efikasitet më të madh, analiza për vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit në disa fusha dhe intensifikimi i bashkëpunimit me disa institucione janë fushat kryesore në të cilat KSHPK-ja ka punuar e fokusuar gjatë këtij viti. Me qëllim të avancimit të luftës kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit, KSHPK vitin e kaluar për herë të parë ka përgatitur një analizë të kompetencave diskrecionale në disa sektorë.
“Përkundër përpjekjeve për përmirësimin e situatës, korrupsioni është ende një problem madhor në shoqërinë tonë, i cili kërkon veprim sistematik, përfshirje më të madhe të qytetarëve dhe ndërgjegjësimin e publikut se korrupsioni nuk guxon të tolerohet dhe të mos ndëshkohet. Është më se e qartë se korrupsioni ndikon në zhvillimin e vendit dhe në të njëjtën kohë rrit mosbesimin ndaj institucioneve. Përmes korrupsionit, burimet publike ridrejtohen në xhepat e individëve të korruptuar në vend të investimeve të nevojshme në interes të të gjithë qytetarëve që do të rrisin cilësinë e jetës. Prandaj, apeloj tek të gjitha institucionet që të përfshihen dhe të rrisin efikasitetin në luftën kundër korrupsionit”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK-së.
Gjatë vitit 2021, Komisioni, ndër të tjera, ka hapur 788 lëndë, përfshirë edhe për zyrtarë të lartë.
Në konferencë foli edhe z. Julian Vassalo, Zëvendës Shefi i Delegacionit të BE-së në vend, i cili tha: “Korrupsioni minon demokracinë dhe shtetin e së drejtës, domethënë themelet e shoqërive evropiane”. Ajo thellon pabarazinë dhe minon kohezionin social. Ajo prek të gjitha fushat e jetës. Lufta kundër korrupsionit është thelbësore për BE-në dhe është në thelb të procesit të zgjerimit. Komisioni Evropian mirëpret proaktivitetin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe progresin e tij. Por nevojitet edhe më shumë. Përpjekjet duhet të jenë pa kompromis dhe të vazhdueshme. Ato duhet të synojnë arritjen e ndryshimeve strukturore dhe sociale, të cilat duhet të ndodhin me kalimin e kohës. Gjithashtu nuk duhet të ketë kthim prapa. “Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive luftën kundër korrupsionit, përmes mbështetjes teknike dhe financiare, si dhe duke shkëmbyer praktikat më të mira.
Në konferencë foli edhe presidenti i GRECO-s, Marin Mrcela. Mrçela, duke uruar Ditën Ndërkombëtare kushtuar luftës kundër korrupsionit, iu referua procesit të zbatimit të rekomandimeve të GRECO-s në vend.
“Lufta kundër korrupsionit mbetet një nga prioritetet në shoqëri, por edhe në agjendën politike. Për të pasur progres nevojitet një angazhim më i madh i institucioneve për zbatimin e rekomandimeve të GRECO-s dhe jo vetëm pranimin e tyre. Korrupsioni nuk anashkalon asnjë vend, por angazhimi ynë i përbashkët është ta zvogëlojmë atë në minimum dhe në të kundërtën të forcojmë respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të sigurohet një mbrojtje më e madhe e sinjalizuesve, të cilët janë kyç në këtë proces, si dhe një qasje strategjike dhe e organizuar në luftën kundër korrupsionit me mbështetjen e përbashkët të të gjitha institucioneve. Por nuk është më pak e rëndësishme të punohet paralelisht për edukimin më të madh të publikut dhe ndërgjegjësimin, për të nxitur aksionin sa më të gjerë kundër korrupsionit”, tha z.Mrçela.
Për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, por edhe për forcimin e efikasitetit dhe integritetit të tyre në luftën e përbashkët sistematike kundër korrupsionit, në konferencë kanë folur edhe Zëvendëskryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Goran Misovski, Ministri i Teknologjisë së Informatikës, z. Jeton Shashiri, përfaqësues të institucioneve si Zyra Shtetërore e Auditimit, Avokati i Popullit dhe të tjerët.
Konferenca për shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit është pjesë e projektit “Promovimi i transparencës dhe përgjegjësisë në administratën publike”, i financuar nga BE.