Takim i mbajtur me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit realizoi takim me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga Thomas Gade, kryeekonomist i misionit.
Në kuadër të takimit, delegacioni i Fondit Ndërkombëtar tregoi interes dhe u informua për luftën kundër korrupsionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, aktivitetet e tij të tanishme dhe të planifikuara dhe sfidat me të cilat përballet në funksionimin e tij. U bë fjalë për bashkëpunimin e KSHPK-së me institucionet e tjera shtetërore përgjegjëse në fushën e luftës kundër korrupsionit me një referencë të veçantë për bashkëpunimin me Prokurorinë Publike, përkatësisht për veprimin e prokurorisë sipas iniciativave të KSHPK-së.
Së bashku u konstatua se vullneti politik i pamjaftueshëm, mungesa e integritetit të mbajtësve të funksioneve të larta politike si dhe mosrespektimi i rekomandimeve dhe iniciativave të organeve të pavarura rregullatore janë pengesa kryesore për sundimin e ligjit dhe parandalimin e korrupsionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Delegacioni i FMN-së tregoi interes edhe për qëndrimin e KSHPK-së në lidhje me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të Kodit Penal.
Kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska njoftoi se KSHPK-ja reagoi e para dhe dha qëndrimin e saj në lidhje me propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal. Në të njëjtën kohë, theksohet se Kodi Penal si një nga shtyllat e sistemit ligjor, duhet të mbrojë funksionimin e shtetit ligjor. Me miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të këtij ligji në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas një procedure të shkurtuar dhe përdorimin e flamurit evropian, pra në një mënyrë me të cilën nuk u lejua një debat i gjerë publik, debat ekspertësh as analizë e pasojave që do të shkaktojë ky vendim ligjor, rrezikohet seriozisht siguria ligjore në vend.
Në fund të takimit, u shpreh kënaqësi nga të dyja palët për takimin e arritur dhe u shpreh gatishmëria për bashkëpunim.