Takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Mihalis Rokas
Më 02 shkurt 2026, në ambientet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), u mbajt takim pune me Sh.T. Mihalis Rokas, Ambasador i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ambasadori u takua me kryetarin dhe anëtarët e Komisionit, me ç’rast u shpreh kënaqësi e përbashkët për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe konstruktiv ndërmjet KSHPK-së dhe Bashkimit Evropian.
Në takim u prezantuan dhe u diskutuan aktivitetet kryesore aktuale dhe të planifikuara të KSHPK-së, me theks të veçantë në prioritetet strategjike në fushën e parandalimit të korrupsionit, integritetin institucional dhe forcimin e qëndrueshmërisë sistemore të institucioneve publike.

Gjat takimit, ambasadori u informua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të drejtpërdrejtë për agjendën prioritare të KSHPK-së në fushën e integritetit institucional, veçanërisht në njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe në sektorin e drejtësisë, si fusha me rrezik të shtuar nga korrupsioni dhe me rëndësi thelbësore për sundimin e ligjit. Në këtë drejtim, u theksua se kompetencat dhe ekspertiza e KSHPK-së në avancimin e integritetit institucional përbëjnë një instrument kyç për parandalimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm, duke plotësuar mekanizmat represivë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përfundimit të procesit të monitorimit të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2021–2025, si dhe procesit të përgatitjes dhe miratimit të Strategjisë së re Kombëtare për periudhën 2026–2030. Në këtë kontekst, u theksua se Strategjia e re do të përfaqësojë një dokument strategjik kyç për harmonizimin e politikave kombëtare me standardet dhe rekomandimet evropiane, me fokus të shtuar në parandalim, rezultate të matshme dhe koordinim institucional.

Në kuadër të takimit u prezantuan gjithashtu aktivitetet që lidhen me avancimin e kornizës ligjore për lobimin, si dhe fushata e ardhshme publike për rritjen e ndërgjegjësimit, e cila do të realizohet me mbështetjen e një projekti IPA. Përveç kësaj, u diskutua edhe bashkëpunimi me Byronë e Prokurimit Publik në fushën e monitorimit të prokurimeve publike, si një segment i rëndësishëm i politikave kundërkorrupsion, i cili do të forcohet në mënyrë sistematike dhe do të integrohet përmes Strategjisë së re Kombëtare 2026–2030.
Gjatë takimit u trajtua edhe çështja e përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies në punën e KSHPK-së, përfshirë ndryshimin e analizës funksionale dhe sistematizimit, si dhe përmes dixhitalizimit të vazhdueshëm të proceseve. U theksua se transformimi digjital përbën një prioritet strategjik të KSHPK-së, por gjithashtu një sfidë të vazhdueshme, duke pasur parasysh kapacitetet e kufizuara buxhetore.
Në fund të takimit u theksua roli kyç i Qeverisë dhe i Kuvendit në sigurimin e mbështetjes institucionale, bashkëpunimit dhe përkushtimit politik për funksionimin efektiv, të pavarur dhe të qëndrueshëm të KSHPK-së, si një shtyllë qendrore e sistemit kombëtar kundërkorrupsion.









