Takim me Zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Republikës së Malit të Zi, z. Momo Koprivica.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot mbajti takim me z. Momo Koprivica, Zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Malit të Zi, i ngarkuar për sistemin politik, drejtësinë dhe kundërkorrupsion, i cili është për një vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në takim, z. Koprivica shoqërohej nga Sh.T. Ambasadori i Malit të Zi në Maqedoninë e Veriut, Zoran Milaniq, Velimir Shlivançanin – këshilltar në ambasadën e Malit të Zi dhe Branko Vukoviç dhe Vlladan Raiçeviq – këshilltarë në kabinetin e Zëvendëskryeministrit të Malit të Zi.
Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke u uruar mirëseardhje mysafirëve, shprehën shpresën se takimi i sotëm do të shënojë fillimin e një bashkëpunimi të frytshëm midis Komisionit dhe miqve nga Mali i Zi. Ata theksuan se kjo do të sigurojë një bazë të fortë për aktivitete dhe projekte të përbashkëta, të cilat do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të integritetit institucional dhe në zbatimin efektiv të politikave kundër korrupsionit në të dyja vendet. Gjithashtu, ata i njohën mysafirët me statusin, kompetencat dhe sfidat me të cilat përballet Komisioni, duke theksuar se ai ka përvojë shumëvjeçare në zhvillimin e strategjive për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimeve korruptive, si dhe në zbatimin e rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi, z. Koprivica, falënderoi Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për pritjen, duke informuar për reformat e ndërmarra nga Mali i Zi në fushën e luftës kundër korrupsionit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, shkëmbimin e përvojave pozitive, si dhe nevojën për forcimin e organeve dhe mekanizmave kundërkorrupsion me qëllim të një përballjeje të suksesshme me korrupsionin.
Në takim u diskutua për nevojën e zbatimit të Marrëveshjes Ndërkombëtare të vitit 2021 për shkëmbimin e të dhënave për verifikimin e deklaratave të pasurisë, e cila u hartua në kuadër të Nismës Rajonale Kundërkorrupsion (RAI) dhe është nënshkruar dhe ratifikuar nga të dyja shtetet. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë një shkëmbim efektiv të të dhënave me qëllim zbulimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, e cila transferohet ose blihet në shtete të tjera.
E përbashkët ishte konstatimi se lufta kundër korrupsionit kërkon një përgjigje të përbashkët dhe, për pasojë, domosdoshmëria e bashkëpunimit rajonal, duke pasur parasysh faktin që vendet në rajon janë të pandashme dhe përballen me probleme të ngjashme.
Të dyja palët shprehën kënaqësi për takimin e realizuar dhe theksuan gatishmërinë e plotë për të forcuar dhe avancuar bashkëpunimin në të ardhmen.


