Vizitë studimore e realizuar në Romë, Republikën e Italisë
Në periudhën prej 5 deri më 8 korrik 2022, delegacioni i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) i udhëhequr nga Kryetarja, Biljana Ivanovska realizoi vizitë studimore në Romë të Republikës së Italisë.
Mikpritës i KSHPK-së ishte Agjencia nacionale kundër korrupsionit e Republikës së Italisë (ANAC). Vizita u organizua me mbështetjen e projektit IPA 2 të Bashkimit Evropian “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së administratës publike”.
Qëllimi i vizitës studimore ishte për të fituar dhe shkëmbyer përvojë në fushën e krijimit dhe përparimit të sistemit të integritetit në institucionet publike, si dhe për të fituar përvojë dhe praktika pozitive në fushën e sistemit të mbrojtjes së denoncuesve.
Në fillim të vizitës studimore, KSHPK-ja mbajti takim pune me përfaqësuesit e ANAC, të udhëhequr nga Kryetari, Giuseppe Bussia, i cili mbajti një fjalim hyrës ku shkurtimisht e prezantoi statusin dhe kompetencat ligjore të ANAC. Në vazhdim të takimit, përfaqësuesit e ANAC prezantuan një pjesë të kompetencave që lidhen me mjetet e sistemit për parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e integritetit dhe transparencës në Itali, mbrojtjen e denoncuesve, si dhe monitorimin e furnizimeve publike dhe bazën e të dhënave nacionale të kontratave të furnizimeve publike.
Në kuadër të diskutimeve të hapura, përfaqësuesit e KSHPK-së në mënyrë krahasuese e prezantuan legjislacionin, mjetet dhe përvojat e KSHPK-së në lidhje me temat e përmendura.
Në fund të takimit, të dyja delegacionet shprehën kënaqësi të veçantë për bashkëpunimin e krijuar si dhe gatishmërinë për të thelluar atë, në kuadër të memorandumit të nënshkruar të bashkëpunimit në gusht të vitit 2021.
Në vazhdim të vizitës studimore, KSHPK-ja realizoi takime edhe me përfaqësues të institucioneve të tjera me kompetenca në fushën e parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit dhe avancimit të sistemit të integritetit dhe mbrojtjes së denoncuesve: Policia Financiare, Agjencia për menaxhimin e pasurive të konfiskuara, Ministria e Administrimit Publik, Shkolla Nacionale e Administrimit Publik, Trupi Qendror i Transparencës dhe Konkurrencës për Shërbimet Publike “CONSIP” dhe Gjykata e Audituesve.
Gjatë takimeve, KSHPK-ja u njoh me statusin dhe kompetencat e institucioneve të përmendura, aktivitetet e tyre për parandalimin dhe shtypjen e korrupsionit si dhe rezultatet e arritura.