TAKIM PUNE ME EKIPIN E EKSPERTËVE TË BASHKIMIT EVROPIAN PËR ZBATIMIN E MISIONIT VLERËSUES TË KËSHILLIT GJYQËSOR
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit mbajti takim pune me ekipin e ekspertëve të deleguar nga Bashkimi Evropian për zbatimin e misionit të vlerësimit të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga eksperti juridik i Republikës së Kroacisë, Branko Hrvatin.
Takimi u mbajt në hapsirat e KSHPK-së, me iniciativën e Ekipit të Ekspertëve, me qëllim të njohjes me mandatin e misionit vlerësimor si dhe me qëndrimet e KSHPK-së në lidhje me zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ekipi i ekspertëve është në një vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut me qëllim që të bëjë përgatitjet paraprake për misionin e ardhshëm vlerësues të BE-së që do të realizohet në shtator dhe i cili do të shqyrtojë kornizën institucionale të Këshillit Gjyqësor dhe do të propozojë masa për përmirësimin e situatës.
Nga ana e kryetares dhe anëtarëve të KSHPK-së u shpreh se me ngjarjet e fundit është dëmtuar besueshmëria dhe besimi në Këshillin Gjyqësor si një nga shtyllat e pushtetit gjyqësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kryetarja Biljana Ivanovska theksoi se është e nevojshme të merren masa sistematike për përmirësimin e gjendjes. Në këtë drejtim, ajo përmendi se në Strategjinë Kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave janë paraparë aktivitete, zbatimi i të cilave është i domosdoshëm për tejkalimin e problemeve të konstatuara në fushën e drejtësisë.
Ekipi i ekspertëve tregoi interes dhe u njoftua në mënyrë të menjëhershme me çështjet e trajtuara nga KSHPK-ja në lidhje me punën e Këshillit Gjyqësor si dhe me iniciativat e dorëzuara nga KSHPK-ja për trajtimin e duhur të Këshillit Gjyqësor.
Të ftuarit u informuan edhe për statusin dhe kompetencat ligjore të KSHPK-së si dhe për aktivitetet e saj të vazhdueshme dhe të planifikuara me një vështrim të veçantë në zgjidhjen e re softuerike me vendosjen në funksion të së cilës do të rritet efikasiteti dhe efektiviteti në zbatimin e kompetencave ligjore të KSHPK-së.
Në fund, u shpreh kënaqësia e përbashkët nga takimi si dhe gatishmëria për bashkëpunim të mëtejshëm gjatë realizimit të misionit të vlerësimit.