Takim me përfaqësues të sektorit civil – anëtarë të Platformës për luftë kundër korrupsionit
Kryetarja dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), më datë 12.03.2024 mbajtën takim me përfaqësuesit e sektorit civil – anëtarë të Platformës së organizatave civile për luftën kundër korrupsionit, në përbërje: Instituti për Demokraci “Societas Civilis ” -Shkup, Koalicioni për Gjykim të Drejtë, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Transparency International Maqedonia dhe Shoqata Konekt.
Takimi u mbajt me iniciativën e KSHPK-së, me qëllim të njohjes së anëtarëve të Platformës me përbërjen e re të KSHPK-së dhe shqyrtimit të mundësive për avancimin e bashkëpunimit.
Kryetarja dhe anëtarët e KSHPK-së i informuan në mënyrë të shkurtër përfaqësuesit e Platformës për aktivitetet e ndërmarra në lidhje me zbatimin e kompetencave ligjore të KSHPK-së që nga fillimi i mandatit të saj, si dhe për sfidat me të cilat përballet KSHPK-ja, duke theksuar veçanërisht kompetencat në periudhën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare.
Përfaqësuesit e sektorit civil theksuan nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve shtesë dhe përdorimit të mjeteve për forcimin e integritetit nga pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, si dhe marrjen e masave në rastet kur ka dyshime për shkelje të ligjeve në procesin zgjedhor.
Kryetarja Dimitrovska theksoi se bashkëpunimi i KKPK-së me organizatat e shoqërisë civile është i një rëndësie të veçantë në forcimin e mekanizmave për parandalim dhe luftë më efektive kundër korrupsionit.
Përfaqësuesit e organizatave civile shprehën kënaqësinë e tyre për bashkëpunimin e suksesshëm deri më tani dhe mbështetën propozimin e KSHPK-së për thellimin e tij me nënshkrimin e një memorandumi të ri.