FUQIZIMI I BASHKËPUNIMIT DHE MBËSHTETJES PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË INTEGRITETIT NË NJËSITË E VETËQEVERISJES LOKALE (NJVL)
Më 30 maj 2025, në hotel “Aleksandar Palace” në Shkup, u mbajt një ngjarje e dedikuar forcimit të bashkëpunimit për zbatimin e sistemit të integritetit në njësitë e vetëqeverisjes lokale (NJVL).

Ngjarja u organizua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, me qëllim përmirësimin e transparencës, standardeve etike dhe integritetit në nivel lokal përmes mjeteve digjitale dhe qasjes inovative.

Fjalë përshëndetëse në ngjarje mbajtën Natalia Rusu, Udhëheqëse e Departamentit për Dimensionin Njerëzor në Misionin e OSBE-së në Shkup, dhe Adem Çuçul, Sekretar i Përgjithshëm i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Të dy theksuan rëndësinë e llogaridhënies së njësive të vetëqeverisjes lokale, si partner jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë ngjarjes u përgatit edhe një analizë SWOT për identifikimin e dobësive dhe rreziqeve në punën e komunave, me qëllim përmirësimin e komunikimit me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).

Në kuadër të ngjarjes u bë një retrospektivë e arritjeve deri më tani në zbatimin e sistemit të integritetit, si dhe u prezantuan të gjitha mjetet që përmban platforma IT – Portali i Komunikimit i KSHPK-së, një mjet që shërben si mbështetje dhe si vegël për shkëmbimin e informacionit, praktikave të mira dhe komunikim të vazhdueshëm mes të gjithë aktorëve në rrjetin e integritetit në njësitë e vetëqeverisjes lokale (NJVL).
U arrit në përfundimin se ekzistojnë mundësi për përmirësim të mëtejshëm të bashkëpunimit, transparencës dhe koordinimit të aktiviteteve ndërmjet njësive të vetëqeverisjes lokale dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), veçanërisht përmes avancimit të mjeteve digjitale.

Ngjarja përbën një dëshmi të mëtejshme për përkushtimin e vazhdueshëm të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Misionit të OSBE-së në Shkup dhe njësive të vetëqeverisjes lokale (NJVL), si dhe një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të kulturës së integritetit në nivel lokal dhe nxitjes së një roli aktiv dhe përgjegjës të institucioneve në luftën kundër korrupsionit.