Trajnim për rritjen e aftësive trajnuese te personat për integritet në njësitë e vetëqeverisjes lokale
Më 29 korrik 2025, në hotel “Aleksandar Palace” – Shkup, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup, organizoi një trajnim të specializuar për trajnerë me temë: rritja e aftësive komunikuese dhe trajnuese te personat për integritet në njësitë e vetëqeverisjes lokale.
Ky aktivitet përbën vazhdimësi të përpjekjeve shumëvjeçare për forcimin e kapaciteteve të autoriteteve lokale në fushën e integritetit. Gjatë periudhës 2021–2024, përmes tre cikleve trajnimesh, 30 njësi të vetëqeverisjes lokale kanë përfituar njohuri teknike dhe mjete për përmirësimin e integritetit në komunat e tyre.
Kësaj here, fokusi u vendos në zhvillimin e aftësive trajnuese, me qëllim që personat përgjegjës për integritet të bëhen bartës të dijes, të jenë në gjendje të përgatisin dhe të realizojnë trajnime efektive, të inspirojnë dhe të nxisin ndryshime të qëndrueshme në qeverisjen lokale.
Ngjarja filloi me fjalime hyrëse nga z. Adem Çuçul, sekretar i përgjithshëm i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, së bashku me znj. Natalia Rusu, udhëheqëse e Departamentit për Demokratizim pranë Misionit të OSBE-së në Shkup.
Sipas programit, trajnerët ishin Maja Lazarova, nga Departamenti për Demokratizim pranë Misionit të OSBE-së në Shkup, dhe Aleksandra Çavdarevska, udhëheqëse e njësisë për planifikim strategjik, bashkëpunim, projekte, analizë dhe edukim, si dhe person përgjegjës për integritet në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Programi përfshiu këto tema:
- Parimet e të mësuarit tek të rriturit dhe zbatimi i andragogjisë në procesin e trajnimit;
- Transferimi i dijes dhe roli i personit për integritet, duke përfshirë mjete komunikimi dhe ushtrime praktike;
- Aftësi prezantuese, dizajnimi i një trajnimi efektiv, përdorimi i mbështetjes vizuale dhe menaxhimi i situatave sfiduese.
Rezultatet e trajnimit konfirmojnë efektivitetin e tij: mesatarja e njohurive te pjesëmarrësit u rrit nga 81.64% përgjigje të sakta në testimin fillestar, në 96.94% pas përfundimit të trajnimit.
KSHPK-ja do të vazhdojë të mbështesë personat për integritet në zbatimin praktik të aftësive dhe njohurive të reja, me qëllim që këto dije të transmetohen më tej në çdo komunë dhe institucion, të integrohen në punën e administratës komunale dhe të kontribuojnë në zhvillimin e një kulture të qëndrueshme të integritetit në vetëqeverisjen lokale në vend.


