SHËNIMI I DITËS NDËRKOMBËTARE PËR LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT
Më 4 dhjetor 2025, në Klubin e Deputetëve, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit e shënoi Ditën Ndërkombëtare për Luftën kundër Korrupsionit.
Kjo ngjarje u mbajt në një periudhë kur Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit po finalizon procesin e monitorimit të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave 2021–2025, dhe paralelisht shënon procesin e zhvillimit aktiv të Strategjisë së re Kombëtare 2026–2030 – një dokument që do ta udhëzojë sistemin kundër korrupsionit gjatë disa viteve të ardhshme.
Me finalizimin e Strategjisë së re Kombëtare, përgjegjësia dhe rezultatet e pritura do të jenë një sfidë e vazhdueshme për të gjitha institucionet dhe mbajtësit e funksioneve publike, por edhe për vetë Komisionin Shtetëror, i cili do të duhet ta ndjekë, ta matë dhe ta vlerësojë publikisht progresin në mënyrë të qëndrueshme.
Shënimi i Ditës Ndërkombëtare për Luftën kundër Korrupsionit nuk është vetëm një kujtesë në kalendar – ai është një thirrje globale për forcimin e kulturës së integritetit, ndershmërisë dhe përgjegjësisë publike.
Ai kujton se lufta kundër korrupsionit kurrë nuk ka përfunduar, dhe se çdo institucion, çdo organizatë dhe çdo individ kanë pjesën dhe përgjegjësinë e tyre në krijimin e një shoqërie të bazuar mbi besimin.
Ngjarja ishte një mundësi për të dëgjuar përfaqësues nga institucione relevante të vendit dhe të huaja – partnerë që, së bashku me Komisionin Shtetëror, po ndërtojnë vizionin për një shtet të rezistueshëm ndaj korrupsionit, me institucione të forta dhe integritet si vlerë të pandryshueshme.
Mbështetës të kësaj ngjarjeje ishin Qeveritë e Zvicrës dhe Suedisë, përmes projektit “Komunitete me Integritet”, i zbatuar nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).
Së pari, fjalimin e mbajti kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, z. Adem Çuçul, i cili nga perspektiva e tij theksoi rëndësinë e veprimit të Komisionit Shtetëror, vizionin, principialitetin dhe vendosmërinë e qartë që integriteti duhet të jetë themel, jo shtesë në veprimtarinë institucionale. Kryetari Çuçul u ndal edhe te aktivitetet kyçe të DSKK-së për periudhën e ardhshme, lidhur me rolin parandalues të Komisionit, drejt ndërtimit të një sistemi të rezistueshëm ndaj korrupsionit, miratimin e Strategjisë së re Kombëtare, promovimin e integritetit dhe rritjen e vetëdijes publike për lobimin.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, në fjalimin e tij theksoi se integriteti nuk deklarohet, por demonstrohet – së pari dhe mbi të gjitha brenda institucionit që miraton ligjet. Roli i Kuvendit është thelbësor – nëse Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit përcakton drejtimin e zhvillimit të reformave kundërkorrupsion, Kuvendi, përmes kuadrit ligjor, mekanizmave të kontrollit dhe veprimtarisë transparente, përcakton ambicien e reformave kundërkorrupsion.
Sh.T. Kristof Zomer, Ambasador i Zvicrës, i cili përcolli mesazhin nga një vend që është sinonim i stabilitetit, besimit dhe institucioneve të forta. Zvicra, si partner afatgjatë dhe i sinqertë i Maqedonisë së Veriut, mbështet vazhdimisht luftën kundër korrupsionit përmes programeve për qeverisje të mirë dhe përmes projektit “Komunitete me Integritet”, roli i të cilit është thelbësor për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe përgjegjëse.
Fjalim mbajti edhe SH.T. Ola Sulstrom, Ambasador i Suedisë, i cili përcolli mesazhin se integriteti është një obligim i përditshëm, jo vetëm një qëllim strategjik. Suedia është një vend që është partner afatgjatë dhe i besueshëm i shtetit tonë në reformat për sundimin e ligjit, llogaridhënien dhe etikën publike. Suedia, si bashkë-financues i projektit “Komunitete me Integritet”, me mbështetjen e saj të vazhdueshme kontribuon në forcimin e kulturës së ndershmërisë, transparencës dhe menaxhimit të përgjegjshëm të interesit publik.
Zëvendës-shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, z. Ben Nupnau, theksoi perspektivën evropiane drejt ndërtimit të një sistemi të rezistueshëm ndaj korrupsionit – një perspektivë që vazhdimisht kujton se progresi matet përmes pavarësisë së institucioneve, zbatimit të qëndrueshëm të ligjeve dhe arritjes së rezultateve të matshme. Bashkimi Evropian në raportet e tij thekson vazhdimisht rëndësinë e mekanizmave të fortë, profesionalë dhe të paanshëm kundër korrupsionit si themel i procesit të reformave.
Fjalimi i radhës ishte nga një partner që për shumë vite ka përfaqësuar një aleat të qëndrueshëm dhe të besueshëm në përpjekjet për ndërtimin e institucioneve të bazuara mbi integritet, llogaridhënie dhe profesionalizëm, z. Edward Anderson, Shef i Departamentit për Sigurinë dhe Mbështetjen e Komuniteteve, Misioni i OSBE-së në Shkup.
Misioni i OSBE-së në Shkup kontribuon vazhdimisht në përmirësimin e standardeve të transparencës dhe forcimin e kulturës etike në sektorin publik – me mbështetje të veçantë në zhvillimin e sistemit të integritetit, si në nivel lokal, ashtu edhe në sistemin gjyqësor, të cilët janë segmente kyçe për sundimin e përgjithshëm të ligjit.
Fjalimin në emër të Platformës së organizatave qytetare për luftën kundër korrupsionit e mbajti z. Aleksandar Krzhalovski, i cili përcolli mesazhin se sistemet janë të rezistueshme vetëm kur qytetarët janë të vëmendshëm dhe të zëshëm. Sektori qytetar – i udhëhequr nga Platforma e organizatave qytetare për luftën kundër korrupsionit – kontribuon aktivisht në hartimin e strategjive, monitorimin e zbatimit të tyre dhe rritjen e vetëdijes publike për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe një opinion publik të informuar.






























